Presidenca u është përgjigjur pretendimeve të Sali Berishës se dekreti është nul, duke deklaruar se ka ndjekur të gjithë procedurën kushtetuese e ligjore dhe se vlefshmëria e tij nuk diskutohet.
“Forma, përmbajtja dhe ekstremitetet e dekretit të Presidentit të Republikës nuk ndryshojnë, pavarësisht vendit nga ku është bërë publik vullneti dhe nënshkruar ky akt. Miratimi i një dekreti Presidencial si formë e shprehjes së vullnetit mund të bëhet kudo, por shqyrtimi i praktikës dhe hartimi i aktit, plotësimi i ekstremiteteve, numërtimit, protokollimit, sekretimit, njehsimit, etj, janë veprime administrative që kryhen në Tiranë, në selinë e Institucionit të Presidentit të Republikës nga ku kryhet sipas ligjit dhe përcjellja zyrtare e aktit nga Sekretari i Përgjithshëm i Institucionit për zbatim tek autoritetet përgjegjëse apo kërkuese”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të Presidencës, Tedi Blushi.
Në këtë reagim, Presidenca sqaron se e gjithë procedura e shqyrtimit të propozimit të Kryeministrit dhe e dorëheqjes së Bajram Begajt është kryer në Tiranë.
“Pasi është arritur në përfundimin se, propozimi i Kryeministrit dhe dorëheqja e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm duhej pranuar, pa vonesë dhe në mënyrë që Presidenti Meta të mos bëhej pengesë për ecurinë e procedurave parlamentare për zgjedhjen e Presidentit të ri, praktika administrative dhe Dekreti i Presidentit është punuar në Tiranë, është hartuar në Tiranë, është numërtuar në Tiranë dhe i është përcjellë Presidentit, i cili e ka shprehur vullnetin e Tij publikisht përmes nënshkrimit të aktit”, vijon deklarata.
Veç kthimit të përgjigjes për Berishën, deklarata mbyllet me doza ironie drejtuar mazhorancës.
“Presidenti Meta, jo vetëm në këtë rast, por asnjëherë nuk i është bërë pengesë autoriteteve/funksionarëve të lartë shtetërorë që me vullnetin e tyre të lirë heqin dorë nga mbajtja e një detyre publike. Për më tepër që në rastin konkret bëhej fjalë për Presidentin e ri të Republikës. Na vjen keq për të gjithë ata që humbën rastin ti mbanin iso këngës “Presidenti i vjetër bllokoi ardhjen e Presidentit të ri”! Kushtetuta e para!”, mbyllet reagimi i Metës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje