Kombetarja

Broja vjen pas Islandës, mungon edhe Myrto Uzuni

Gazeta Si – Armando Broja dhe Myrto Uzuni nuk do të jenë në dispozicion të trajnerit Edi Reja për transfertën e Islandës. Dy sulmuesit nuk janë në gjendje të luajnë më 6 qershor.

Janë mungesa me shumë peshë në transfertën islandeze, ku kuqezinjtë nisin aventurën në Ligën e Kombeve. Broja, sipas burimeve zyrtare të FSHF-së, nuk është rikuperuar plotësisht.

Kombetarja ne stervitjen e sotme. Gazeta Si, 3 qershor 2022

Sulmuesi në pronësi të Çelsit ka kryer një test të fundit të Covid-19 dhe ka dalë negativ, por po stërvitet individualisht. Broja nuk mund të jetë gati për ndeshjen e së dielës dhe do të bashkohet me grupin pas saj, në Durrës. Mund të luajë ndaj Izraelit dhe Estonisë.

Myrto Uzuni gjithashtu ka bërë stërvitje të diferencuar. Ai ka dëmtuar kaviljen në stërvitje dhe stafi mjekësor i Kombëtares ka vendosur që të mos udhëtojë me ekipin drejt Islandës.

Trajneri Reja ka vazhduar punën me lojtarët që kanë në dispozicion. Ndaj Islandës pritet që ai të hedhë në fushë Cikalleshin dhe Seferin në sulm. Kombëtarja do të udhëtojë të shtunën drejt kryeqytetit islandez.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë