Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare zhvilloi sot stërvitjen e radhës në kuadër të përgatitjeve për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Grupi ishte thuajse i plotë për trajnerin Reja, por shqetëson Uzuni.
Mesfushori Kristjan Asllani e ka lënë pas dëmtimin dhe është stërvitur rregullisht me pjesën tjetër të skuadrës. Po ashtu, pjesë e grupit ishin edhe Odise Roshi dhe Klaus Gjasula, të cilët kanë pasur shqetësime ditët e fundit.

Stafin e Kombëtares e ka shqetësuar sot sulmuesi Myrto Uzuni. Beratasi ka lënë stërvitjen për shkak të një dëmtimi muskulor, duke ngritur dyshime për ndeshjen e parë me Islandën.
Shkalla e dëmtimit do të mësohet pas kontrolleve të specializuara që do të kryejë Uzuni. Trajneri Reja pret të qartësohet edhe për gjendjen e sulmuesit Armando Broja, nëse do të jetë gati për ndeshjen e 6 qershorit apo jo.
Kuqezinjtë do të stërviten edhe të premten në Shqipëri, ndërsa më 4 qershor do të nisen drejt Islandës. Ndeshja e parë në grup në Ligën e Kombeve është pikërisht ndaj këtij kundërshtari. Më pas është radha e Izraelit dhe miqësores me Estoninë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




