Ka ndodhur

Tjetërsim pronash në Sarandë, arrestohen disa zyrtarë të bashkisë

Gazeta Si – Disa zyrtarë të lartë të Bashkisë së Sarandës, janë arrestuar këtë të mërkurë me akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Mes tyre janë drejtori i Urbanistikës në bashki, Pandi Zhoga, një noter publik, Aleko Anagnosti, si dhe juristja e Zyrës së Hipotekës në Sarandë, Rovena Alikaj.

Ndalimi i tre zyrtarëve publikë është kryer nga Prokuroria e Sarandës dhe dyshohet se ata kanë kryer tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metra katrorë tokë, duke e ndarë tek persona të tjerë, të cilët më pas kanë kryer ndërtime.

Drejtori i Urbanistikës në Bashkinë e Sarandës, Pandi Zhonga

Sipërfaqja e tjetërsuar, ka qenë tokë shtetërore dhe para tjetërsimit shërbente si hapësirë e gjelbër, (lulishte), për qytetin e Sarandës.

Por përmes falsifikimit të dokumenteve, miratimit të lejeve të ndërtimit nga Bashkia Sarandë dhe hipotekimit më pas në zyrën e ASHK-së Sarandë, kjo tokë  është tjetërsuar tashmë tek persona të tretë.

Lidhur me këtë çështje, në kërkim mësohet se janë dhe dy persona të tjerë që janë përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Noteri Aleko Anagnosti

Institucioni shtetëror me më shumë kallëzime penale dhe civile në prokurori dhe gjykata, është kadastra. 

Ashtu siç e ka pohuar edhe kreu i Agjencisë Kombëtare të Kadastrës, Artan Hoxha, një prej problemeve më të mëdha të qytetarëve shqiptarë është marrja e pronësisë së tokave. Edhe më herët, Kadastra e Sarandës është gjetur me shkelje nga njësia antikorrupsion.

Në tetor të vitit të shkuar, kreu i Kadastrës së Vlorës dhe ai i Durrësit, u arrestuan nga policia të akuzuar për shpërdorim detyre për pronat.

Në janar të këtij viti, SPAK ka dërguar 17 persona për gjykim në GJKKO, 5 prej të cilëve janë zyrtarë të Kadastrës së Tiranës, të cilët akuzohen se merrnin deri në 2 milionë lekë për të nxjerrë hipotekën e tokës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë