Nga Gazeta Si- Gjetjet paraprake të Raportit të CRCA/ECPAT Shqipëri “Angazhimi i Komunitetit për
mbrojtjen e fëmijëve nga dhuna”, për herë të parë sjellin një vëzhgim të detajuar mbi qëndrimet, pranueshmërinë dhe reagimin e komunitetit përkundrejt dhunës ndaj fëmijëve
Raporti u zhvillua në bashkëpunim me Fondacionin për të Drejtat e Fëmijëve në Hungari, me pjesëmarrjen e Shqipërisë, Moldavisë, Rumanisë dhe Sllovakisë. Studimi në të dhënat paraprake të tij, përcjell realitet shqetësues përsa i përket qëndrimit të prindërve dhe të gjithë komunitetit kundrejt dhunës ndaj fëmijëve.
Pothuaj 60% e të anketuarve mendojnë se është e pranueshme goditja e fëmijës në të ndenjura, me shpullë në fytyrë ose në trup.
Më shumë se 50% e të anketuarve e pranojnë kur prindërit i bërtasin ose i ulërijnë fëmijës ose e thërrasin fëmijën me fjalë ofenduese.
Të paktën 20% pranojnë nga prindërit rrahjen e fëmijës me rrip, shkop ose ndonjë send tjetër të fortë.
Rreth 40% e qytetarëve janë indiferentë përballë dhunës të çfarëdolloj forme ndaj fëmijëve. Thuajse 25% e qytetarëve nuk do ta denonconin një rast dhune ndaj fëmijëve tek autoritetet.
Të rriturit pranojnë se thuajse gjysma e tyre ndikohen në ushtrimin e dhunës ndaj fëmijëve të tyre prej bashkëshortit/bashkëshortes, ndërsa 33% e prindërve ndikohen nga mësuesit/et kur kërkojnë të godasin fëmijët e tyre. Ndërsa përsa i përket dhunës seksuale ndaj fëmijëve, vetëm 44% e qytetarëve do ta denonconin rastin në polici. Studimi u krye në një periudhë disa mujore me një kampion prej 274 të rritur: 89% gra dhe 11% burra. Mosha e tyre u shtri nga 18 vjeç deri në 65+, por shumica e të anketuarve përbëhej nga mosha 18-44 vjeç. 63.7 % e të anketuarve jetonin në qytetet kryesore, ndërsa pjesa tjetër në periferi, fshat apo edhe qytete të vogla.
Abuzimi fizik
Për sa i përket dhunës fizike, vihet re se të paktën 52% e të anketuarve mendojnë se njerëz të tjerë do ta injoronin goditjen me shuplakë në vithe ose në pjesë të tjera të trupit, duke e konsideruar këtë si çështje që ka të bëjë thjesht me prindin dhe fëmijën, ndërsa vetëm 33% besojnë se kjo do të konsiderohej si veprim pa vend dhe do të dënohej.
Abuzimi psikologjik
44% e të anketuarve mendojnë se nuk do të kishte ndonjë reagim nëse një prind do t’i bërtiste një fëmije apo do t’i fliste me fjalë ofenduese, ndërsa gati 38% e tyre mendojnë se njerëzit do ta dënonin si sjellje të papërshtatshme. Të bën përshtypje fakti se 15 % e të anketuarve mendojnë se njerëzit përreth do ta kuptonin sjelljen agresive të prindit dhe do të mendonin se kjo është sjellje normale prind-fëmijë, pra as do ta dënonin dhe as do ta denonconin.
Prindërimi pozitiv
Rezultatet e sondazhit tregojnë se shumica e të anketuarve, thuajse 72% e tyre, mendojnë se njerëzit në vend do të reagonin në mënyrë pozitive ndaj metodave disiplinore pozitive ndaj fëmijëve, por më shumë se shtatë për qind e tyre mendojnë se këto metoda do të konsideronin të papërshtatshme, ndërsa 11% janë të mendimit se njerëzit do t’i injoronin këto situata duke i konsideruar thjesht si çështje personale të prindërve.
Denoncimi i dhunës tek autoritetet
Ndërsa kur bëhet fjalë për reagimin e publikut në përballje me dhunën ndaj fëmijëve, vërehet se pothuajse 50% e të anketuarve mendojnë se njerëzit përreth do ta denonconin rastin e dhunës tek autoritetet, por vetëm 27% e tyre do të ndërhynin për të ndaluar një prind që po disiplinon një fëmijë në mënyrë të dhunshme. Po kështu, 40% e njerëzve do ta gjykonin disiplinimin fizik si sjellje të papërshtatshme, ndërsa 23% e tyre do ta injoronin atë situatë.
Nga ana tjetër, mbi 52% e të rriturve nuk dinë se si të veprojnë në rastet e denoncimit të dhunës ndaj fëmijëve. Të paktën 48% e tyre mendojnë se ndoshta nuk duan t’i pranojnë vetes se përreth tyre ka dhunë, të paktën 43% e të anketuarve ngurrojnë ngaqë nuk i dihet çfarë do të ndodhë me ta nëse bëjnë denoncim, ndërsa 56.6% stepen ngaqë mendojnë se mund ta kenë gabim. Një pjesë e të anketuarve mendojnë se njerëzit pengohen të bëjnë denoncim ngaqë ndoshta mendojnë se nuk është punë e tyre (43.6%), nuk duan të acarojnë prindërit (43%), ose nuk duan t’i shkaktojnë ndonjë problem fëmijës (47.4%).
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



