Kombetarja

Cikalleshi shpall objektivin: Duam vendin e parë, Islanda rival direkt

Gazeta Si – Sulmuesi Sokol Cikalleshi dhe mesfushori Nedim Bajrami dolën sot në konferencë shtypi. Ata folën për ndeshjet e qershorit, duke u fokusuar te sfida e parë me Islandën.

Cikalleshi, një nga lojtarët me më shumë përvojë në Kombëtare, ka theksuar se ndeshja me Islandën është thelbësore. Ai u shpreh se Shqipëria ka shanse reale për vendin e parë në grup.

Sokol Cikalleshi. Gazeta Si, 30 maj 2022

“Grupi na bën më të fortë dhe do doja që të mbizotërojë forca e grupit, harmonia. Kur sulmuesit shënojnë, është më mirë, kuptohet. Por lojtarët kanë luajtur rregullisht, kemi një formacion stabël dhe kjo ka rëndësi”, – tha Cikalleshi.

“Islanda është më shumë skuadër fizike, jemi ndeshur me të. Është ekip që të vë përpara fizikisht, autet i kanë si korne. Do të jetë një duel fizik.

Izraeli është ekip më teknik. Kemi treguar se kemi mundësi të fitojmë. Në atë kohë kur janë ndeshur me ne ishin më mirë se sot. Kanë mungesa, por ne mbetemi të përqendruar.

Ndeshja e parë është më e rëndësishmja, na duhet rezultat pozitiv. Do tentojmë vendin e parë, Islanda është rival direkt”, – ka theksuar më tej Cikalleshi. Ai ka rinovuar me Koniasporin pak kohë më parë dhe do të luajë në Europë me këtë ekip.

Pas kavajasit foli Bajrami, i cili theksoi: “Jemi të gjithë bashkë edhe kjo është e rëndësishme për ne. Jemi përshtatur shumë mirë me grupin. Konurrenca është normale në futboll, çdo lojtar do të luajë, pasatj vendos trajneri.

Objektivi është ta fillojmë mirë Ligën e Kombeve. Të japim maksimumin gjithmonë dhe të vazhdojmë përpara. Kemi një skuadër të mirë, të fortë, por rruga është e gjatë dhe e vështirë.

E ardhmja? Ishte sezoni i parë në Serinë A dhe shkoi mirë për mua dhe Empolin. Të shohim çfarë do të ndodhë në vazhdim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë