Gazeta Si – Seferi dhe Çekiçi janë dy lojtarët e parë që kanë dalë në konferencë shtypi në grumbullimin e Kombëtares. Kuqezinjtë kanë nisur përgatitjet në Durrës për sfidat me Islandën dhe Izraelin në Ligën e Kombeve, dhe për miqësoren me Estoninë.
Taulant Seferi dhe Erjon Hoxhallari janë dy lojtarët e vetëm të grumbulluar nga kampionati shqiptar. Të dy janë pjesë e Tiranës. Sulmuesi ka thënë në konferencë se ka shumë për të dhënë dhe shpreson të ketë minuta edhe me Kombëtaren.

“Objektivi është të kapim vendin e parë. Kam besim të plotë se do të bëjmë shumë mirë. Në mars kemi bërë ndeshje të mira. Jemi profesionistë, nuk na bie ritmi tani. Besoj se do të jemi të freskët dhe në 100% në këto ndeshje të qershorit.
Jam i lumtur që dola kampion me Tiranën. Festa ambaroi aty, tani jam i fokusuar te Kombëtarja dhe jam i lumtur që trajneri më ka ftuar. Çdo lojtar do të luajë, edhe unë kam dëshirë të luaj, por është trajneri që vendos. Nëse më jepen minuta, do të jem shumë i lumtur.
Islanda duhet vlerësuar, po shkojmë atje për të marrë maksimumin. Me çdo lojtar që mund të luaj, do të ndihem mirë. E ardhmja? Shumë herët për të folur. Tani e kam mendja te Kombëtarja këto dy javë, pastaj do të shohim.
Kam bërë një sezon shumë të mirë, kam shënuar dhe jam shpallur kampion. Kam ende për të dhënë, është vetëm fillimi për mua. Pres gjëra më të mira në të ardhmen”, – theksoi Seferi.
Pastaj ishte radha e mesfushorit-sulmues Endri Çekiçi. Edhe ka pranuar se përjashtimi i Rusisë nga Liga e Kombeve ka shtuar shanset për vendin e parë.
“Që kur shkova te Konia, ndihma e Sokolit ka qenë e madhe. Vendi i tretë është shumë i suksesshëm për skuadrën në Turqi. Kampionati turk është më i fortë, si nga ana fizike, ashtu edhe nga kualiteti. Mjafton të shohim emrat e lojtarëve.
Fizikisht jam përmirësuar shumë në Turqi. Për Kombëtaren gjithmonë kam qenë gati, është misteri që vendos. Atë fitore me Isalndën duhet ta lëmë prapa, jemi një ekip tjetër, edhe ata po ashtu.
Vendi i parë? Përjashtimi i Rusisë na e ka bërë më të lehtë grupin. Jemi pak a shumë në të njëjtin nivel dhe duhet të hyjmë për vendin e parë. E kemi rritur nivelin, kemi lojtarë që luajnë në klube të mira.
Kreu i grupit është qëllimi ynë kryesor. Na jep më shumë shanse për Europianin. Nuk ka presion, kemi lojtarë që janë mësuar, sepse luajnë me klube të mëdha. Bare dhe Laçi janë lojtarë të rëndësishëm, ndërsa ne duhet të japim maksimumin.
Pika jonë më e fortë është harmonia në grup. Tifozët kanë qenë fantastikë, i presim të jenë të shumtë në ndeshjen me Izraelin dhe të këanqim me fitore dhe lojë të bukur”, – ka thënë pogradecari i Kombëtares, Endri Çekiçi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




