Vetëm pak minuta para se Enkelejd Alibeaj të mblidhte grupin e tij parlamentar, (Rithemelimi do bojkotonte) kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla sqaroi se PS nuk do të bashkojë firmat me demokratët për të arritur kuorumin e nevojshëm prej 20 deputetësh për çdo kandidat për president.
“Dy ditë më parë kemi rënë dakord që në raundin e dytë dhe të tretë ne nuk do propozojmë kandidat dhe i takon opozitës të propozojë. Propozimi për President duhet të vije dhe me firma mbështetëse nga opozita. Nëse presidenti nuk zgjidhet në këto dy raunde, ne raundin e katërt do të propozojmë ne. Takimi ka qenë publik dhe kjo është dakordësuar ne prani të mediave”, është shprehur Balla.
Menjëherë, Alibeaj anuloi mbledhjen.
Në një prononcim për mediat, Alibeaj tha se PD nuk do të bëjë propozime në raundin e radhës për zgjedhjen e Presidentit.
“Që të kishte një emër do të duhej që ky emër të propozohej nga ne. Nga katër kandidatura do të përzgjidheshin dy sic donin ata dhe nga ata dy të zgjidhnin një dhe ai një të kishte nënshkrimet e përbashkëta ne do të kishim Presidentin e Republikës të të gjithë shqiptarëve”, tha Alibeaj.
Për emrat që u propozuan një ditë më parë nga grupi i PD, Alibeaj tha se ishin kandidatura që sfiduan mazhorancën.
“Unë nuk kam keqardhje. Ne u nisëm për të krijuar një proces që të ishte jo proces kulisash, por në sytë e publikut. Duke qenë në mënyrë transparente është e qartë që ne kemi qëndruar parimor për të dhënë një president konsensual.
Keqardhja ime është se në atë mbledhje në kryesi ne ramë dakord, Balla tha se biem dakord me dokumentin, por ky dokument u shkel nga ana e PS.
Ky nuk është vetëm një proces ku bëjmë eksperimente. Emrat që dolën dje, profile të larta të pa korruptuara. Këto ishin garancitë që ata kanë, sfiduan perse largu Ramën dhe mazhorancën. Panë emrat, panë që askënd nga ata nuk mund ta peshkonin, për këtë arsye tërhoqën bishtin ndër shalë”
Ai u shpreh se kryeministri Edi Rama u tërhoq në momentin që pa kandidatët e PD.
“Gërma e dokumentit thotë që një komision i përbërë nga gjashtë anëtarë shqyrtojnë kandidatët dhe bien dakord për propozimin e përbashkët të njërit prej tyre. Ajo kandidaturë që do të identifikohej si konsensuale do të kishte nënshkrimet tona dhe të mazhorancës si shenjë e fortë që nuk do të kishte lojëra apo shmangie.
Nga ana e PS pretendohet që JO, kjo kandidaturë duhet të ketë vetëm nënshkrimet tona. Kjo është një e drejtë që na jep Kushtetuta. Kjo tërheqje nuk është gjë tjetër veçse mospranim i konsesualitetit.
Ne e kemi ditur që PS i ka 71 vota formale. Nuk ka ato tre vota që i përkasin Tom Doshit. Nuk ka dy mandate që i përkasin Aqif Rakipit.
Nuk ka dy mandate që sot janë te 313-ta. Megjithatë ne u nisëm sigurisht nga ideja për të krijuar një proces konsensual dhe një president mbi palët. Ishim seriozë…”, tha Alibeaj.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.