Portofol

Menaxhuesit e Butrintit, aksionerë edhe te koncesioni i pasaportave

Parku i Butrintit nuk është sipërmarrja e parë fitimprurëse në të cilën përfshihet drejtpërdrejt në Shqipëri Fondi Shqiptaro-Amerikan i Zhvillimit, ku sipas shifrave të publikuara në planin e menaxhimit fitimet mund të shkojnë deri në 50 mln euro për 10 vite.

Aktiviteti i Fondit dhe përfshirja e tij direkte në koncesionet e dhëna nga qeveritë shqiptare daton që në korrik të 2008-s, kur bëhet bashkëthemelon kompaninë ALEAT, që ka koncesionin e prodhimit të kartave të identiteti dhe pasaportave.

Afati i parë i koncesionit ishte 5-vjeçar, por në mars të 2013-s, në muajt e fundit të qeverisjes së PD-së, qeveria vendos zgjatjen e këtij koncesioni me 10 vite të tjera, duke e çuar në korrik të 2023-it.

Fondi, në atë kohë me emrin Fondi Shqiptaro-Amerikan i Ndërmarrjeve zotëron 25 për qind të aksioneve në kompaninë ALEAT, ku 75 për qind të tyre i ka kompania franceze Safran Morpho (ish-kompania Sagem).

Në bazë të dokumentacionit të dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, për Fondin Shqiptaro-Amerikan kanë firmosur në themelimin e kompanisë ALEAT përfaqësuesit Martin Mata dhe Aleksandër Sarapuli.

Mata dhe Sarapuli janë aktualisht bashkëdrejtues ekzekutivë të Fondit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit, që po sipas dokumentacionit është organizatë jofitimprurëse e regjistruar në Delauere të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Emri i Martin Matës dhe Aleksandër Sarapulit del edhe te Fondacioni për Menaxhimin e Butrintit, i ngritur si strukturë e posaçme mes Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe Ministrisë së Kulturës. Madje, në marrëveshjen e dorëzuar në Kuvend, Mata dhe Sarapuli janë caktuar nga bordi i Drejtorëve të Fondacionit për të përfaqësuar Fondacionin në marrëveshjen e nënshkruar me Ministrinë e Kulturës.

Bordi i Drejtorëve i Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, sipas aktit të themelimit përbëhet nga pesë anëtarë, ku tre i takojnë Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit dhe dy Ministrisë së Kulturës. Duke qenë se ka shumicën në këtë bord dhe marrëveshja nuk parashikon mundësinë e vetos nga ana e Ministrisë së Kulturës, AADF ka shfrytëzuar këtë shumicë për të caktuar si përfaqësues të Fondacionit dy bashkëdrejtuesit e saj ekzekutivë.

Skema e marrjes me koncesion të Butrintit duket e ngjashme me atë të prodhimit të kartave të identitetit dhe pasaportave, ku AADF gëzon një të katërtën e aksioneve. Sipas marrëveshjes së propozuar në rastin e Butrintit, menaxhimi do t’i kalojë fondacionit për një afat 10 vjeçar me mundësi rinovimi.

Kontrata koncesionare për prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave u nënshkrua në korrik të 2008-s me një afat pesëvjeçar. Dy vite më vonë kontrata ndryshon, duke shtuar ofrimin e shpejtë të pasaportës dhe detaje të tjera teknike që lidheshin me përgatitjen e vendit për liberalizimin e vizave, që ndodhi në dhjetor të atij viti. Nga ky ndryshim, Qeveria shqiptare i pagoi ALEAT 3.26 mln euro.

ALEAT sipas kontratës zotohet që të hapë zyra aplikimi në ambasada dhe përfaqësitë diplomatike të Shqipërisë për të pajisur emigrantët me dokumentat e reja. Ndryshimi sanksionon se nëse kompania nuk prodhon minimalisht 1 mijë karta dhe pasaporta në këto zyra, atëherë Qeveria do të kompensojë financiarisht njësitë e munguara.

Në 10 mars të 2013-s kontrata ndryshon sërish. Palët bien dakord që koncesioni i prodhimit të mjeteve të identifikimit të zgjatej me 10 vite për të skaduar në korrik të 2023-it. Në zgjatjen e kontratës përfshihet edhe një pikë, sipas të cilës parashikohet që në 10 vjet, ALEAT të prodhojë rreth 3.6 mln karta identiteti dhe pasaporta. Nëse ky numër nuk arrihej, atëherë qeveria shqiptare, sipas marrëveshjes do të kompensonte financiarisht numrin e munguar.

Kontrata parashikon që mosmarrëveshjet do të zgjidhen në gjykatat e Arbitrazhit, ku ishte caktuar IÇ me seli në Gjenevë.

Në 2021 kontrata ndryshon sërish, ku iu dha kompanisë ALEAT kompetenca për të prodhuar karta identiteti dhe pasaporta elektronike. Sipas kontratës për zgjatjen dhe përmirësimin e Kontratës së Koncesionit, ALEAT është zotuar të implementojë disa teknologji të reja, në mënyrë që të përmirësojë procesin e prodhimit dhe në veçanti, të rimodelojë procesin e regjistrimit. Qëllimi i këtij përditësimi, thuhet në kontratën e re, është që të përmirësojë procesin e punës, duke përdorur teknologjinë më të fundit digjitale.

Ndryshimet përfshijnë futjen e e-Certifikatave të vendosura në çipin e kartës së identitetit me një afat vlefshmërie prej 10 vjetësh, pavarësisht se vlefshmëria e kartës së identitetit do të jetë për 50 vjet. Ky projekt, sipas ndryshimeve të 2021 është ende në fazë përgatitje infrastrukture dhe varet edhe nga ngritja e plotë e sistemit të shërbimeve elektronike nga ana e qeverisë. Çdo e-Shërbim që do të ofrohet në lidhje me kartën e identitetit do të jetë i kushtëzuar me vlefshmërinë e e-Certifikatave.

Të dhënat elektronike të regjistruara në çipin e kartës së identitetit duhet të përditësohen çdo 10 vite. Nëse nuk kryhet ky përditësim, që do të ofrohet nga sistemet që ALEAT ka ngritur dhe po ngre, atëherë kontrata parashikon që karta e identitetit nuk do të jetë e vlefshme për të përfituar e-Shërbimet, nuk do të shërbejë as si dokument ndërkombëtar udhëtimi,

Gjithashtu, ndryshimet e kontratës i japin ALEAT edhe të drejtën e prodhimit të çdo dokumenti identifikimi, duke mos u kufizuar vetëm te kartat e identitetit dhe pasaportat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë