Enkelejd Alibeaj do të mbledhë të premten grupin parlamentar të PD për një diskutim më të thelluar rreth kandidaturave që u propozuan një ditë më parë për postin e Presidentit
Të enjten, 26 deputetë të mbledhur nën drejtimin e Alibeajt propozuan emrat e Rexhep Ukës, Halim Kosovës, Dashamir Shehut, Leka Zogut, Leonard Demit, Arben Çejkut, Dritan Demirajt dhe Visar Zhitit.
Emrat e Jorida Tabakut dhe Lajla Pernaskës u tërhoqën në fund nga vetë deputeti propozues Kreshnik Çollaku.
Alibeaj ka ftuar në mbledhje edhe deputetët e Rithemelimit por pa Berishën në takim.
Oerd Bylykbashi i Rithemelimit tha të enjten pas shpalljes së emrave nga një pjesë e grupit parlamentar se, “marrëveshja i mundëson Ramës që në morinë e emrave të hedhur mbi tryezë, të fshehë emrin që ka planifikuar”.
“Marrëveshja i jep mundësi Ramës që të caktojë një opozitë hollesh përkundër opozitës së votës e me votat e tyre të caktojë presidentin e më tej, të ndryshojë sistemin zgjedhor, hartën e ndarjes territoriale, për të mbajtur pushtetin.
Alibeaj nuk ka asnjë tagër të mbledhë deputetët, të hedhë në tryezë emra kandidatësh për të legjitimuar procesin e Ramës…”, tha Bylykbashi duke paralajmëruar në këtë mënyrë se një pjesë e deputetëve nuk do të bëhen pjesë e mbledhjes së sotme të thirrur po nga Alibeaj.
Një nga kandidatët e propozuar për President Rexhep Uka është tërhequr nga kandidimi,
“…Nuk jam më i ri. E njoh mirë situatën. E bluaj, njoh edhe politikën. Ky është fakti që më frenon. Nuk bëhem më si ‘kau balash’. Jam në fazën kur opinioni publik, njerëzit që më kanë mbështetur, njerëzit që më njohin, atë punë e kam provuar, kam tentuar dhe i kam thënë të gjitha mendimet e mia në të gjitha epokat. Në një farë mënyre kam shprehur atë që ndiej, por edhe kam kuptuar se ku gjendem. Dhe hiç nuk ka lidhje me mua kjo. Por gjithsesi e vlerësoj shumë faktin që deputeti më propozoi…”, është shprehur ai.
Ndërkohë i gatshëm është shprehur një kandidat tjetër ish-ministri i qeverisë teknike në kohën e Bashës, Dritan Demiraj.
“Shpreh mirënjohjen dhe përkushtimin maksimal t’ju përfaqësoj me dinjitet në këtë garë kaq të rëndësishme për kreun e shtetit Shqiptar në rast se do të kem mbështetjen tuaj…”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.