Nënkryetari i grupit parlamentar i PD-së Luciano Boçi njëherazi i mandatuari i “Rithemelimit” për procesin e zgjedhjes së Presidentit me faktorë të opozitës tha të mërkurën se marrëveshja Balla-Alibeaj është tallëse dhe se opozita ka të drejtë të depozitojë kandidatura deri në raundin e fundit dhe jo vetëm tre raundet e para.
“Është tallja e radhës me procesin e presidentit dhe na vjen keq që niveli i diskutimit të jetë kaq qesharak dhe tallës. Negociatat duhet të jenë në përputhje me atë që përcakton Kushtetuta.
Vendimi i sotëm antikushtetues. Askush s’mund ti heqë të drejtën opozitës për të pasur kandidatë në 5 raundet, e kjo zgjidhje nuk është parë asnjëherë në Shqipëri ku dikush nga mazhoranca si klloçka që mbledh zogjtë ka përcaktuar me detyrim që opozita mund të ketë kandidat në 3 raunde e më pas nuk mund të ketë.
Ironia është që opozita që nuk ka votat të themi për një votim të thjeshtë, ndërsa mazhoranca që i ka këto vota e ruan propozimin e saj për në raundin e katërt e pestë ku votimi është me shumicë të thjeshtë, për të mos u futur më pas tek e drejta për të kryer negociata” tha Boçi.
Boçi nënvizoi se negociatat duhet të vijojnë në nivel politik
“Kushtetuta përcakton që negociatat vazhdojnë në nivel politik. Ka përcaktuar raundet dhe këtu mbaron takimi mes krerëve të grupeve parlamentare. Ka dhe një kontradiktë. Balla apo Gjiknuri janë të mandatuar nga PS, Alibeaj nuk ka asnjë lloj mandati nga PD apo grupi parlamentar.
Këto negociata për mua janë tallëse dhe nuk duhen konsideruar si të tilla. Pranimi që kemi kërkuar është sipas parimit kushtetues. Në këtë kontekst edhe rezoluta e miratuar në Këshillin Kombëtar paraqet këtë qëndrim të PD. Derisa lihet opsioni që do ketë raund të katërt dhe të pestë do të thotë që do rrëzohet kandidati i opozitës. Pse duhet të krijojmë një proces të tillë tallës. Qëllimi ynë ka qenë të bëjmë proces me dy drejtime për zgjedhjen e presidentit dhe bashkimin e PD.
Një emër që vjen jashtë proceseve kushtetuese nuk ka besimin. Na duhet një president i mirë por emri i mirë duhet të shkojë në harmoni me një proces kushtetues të mirë. Nuk mund të prevalojë emri mbi kushtetutën dhe as kushtetuta mbi emrin. Alibeaj nuk ka tagër të jetë përfaqësuesi i opozitës. Mund të jetë deputet i thjeshtë dhe e ka përfunduar misionin e tij si kryetar grupi. Negociatat për presidentit janë politike. Nuk bëhet fjalë për një reformë zgjedhorë.
Ndoshta Alibeaj mund të fshihet pas pozicionit të kryetarit të komanduar. Por këtë pozicion nuk ia pranon as Rama. Shkon dhe ulet në prehrin e Ballës. Meqenëse Rama i ka qejf krahasimet me futbollin. Është njësoj si Reali i Madridit të zgjidhte si kundërshtar në finale jo Liverpoolin por Turbinën e Cërrikut sepse nuk pranon të luajë kundër Salah se është non grata”, tha ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.