Partia Socialiste pranoi dokumentin e Alibeajt që opozita të ketë ekskluzivitetin për propozimin e kandidaturave për President deri në raundin e tretë.
Pas një diskutimi për rreth një orë e gjysmë mes përfaqësuesve socialiste dhe përfaqësuesve të grupeve parlamentare të opozitës në Kuvend, palët ranë dakord për të vijuar me propozimin e emrave që në raundin e dytë, që do të mbahet më 23 maj.
Gjatë diskutimeve, Balla tha se grupet parlamentare të opozitës mund të mos kenë numrat e deputetëve për të propozuar një kandidat për President para socialistëve.
Dyshimin e hodhi kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla gjatë takimit që u mbajt këtë të mërkurë për të negociuar dokumentin e propozuar nga Alibeaj me kriteret që duhet të përmbushë Presidenti i ri.
Për zgjedhjen e Presidentit kanë mbetur katër raunde. Në dy raunde kërkohet shumica e cilësuar prej 84 votash, ndërsa në dy raundet e mbetura, PS mund të zgjedhë me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.
Kushtetuta përcakton se një kandidaturë duhet të ketë mbështetjen e të paktën 20 deputetëve dhe një deputet nuk mund të firmosë mbështetjen për më shumë se një kandidat. Nisur nga numrat në Kuvend, ku opozita ka 66 mandate, ajo nuk mund të propozojë më shumë se tre kandidatura në një raund.
“Dy raunde i takojnë opozitës dhe i takon asaj që të jetë bashkëpunuese. I keni 20 firmat për të propozuar kandidat në datën 22 maj, sepse e tillë është procedura kushtetuese? Opozita mund të sjellë 3 kandidatë”, tha Balla.
Më tej, kreu i grupit parlamentar socialist kujtoi kushtin e vetëm, sipas tij, që kanë socialistët; atë që kandidatura nuk duhet të ketë mbështetjen e Sali Berishës.
“Kushti ynë është që kandidat që vjen nga katrani me bojë nuk pranojmë. Për të tjerat nuk ka asnjë problem. Po patët dakordësi për një kandidat është gjë e mirë. Kështu respektojmë dhe jemi të barabartë. Dy raunde i keni ju. Raundi i katërt dhe i pestë na takon ne. Ne nuk do të propozojmë kandidatë pa e bërë ju. Shumica e cilësuar prej 84 votash ju jep ju të drejtën për të propozuar emra në dy raunde”, tha Balla.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.