Politike

Rinisin procedurat për Presidentin, përpjekje për konsensus mes mosbesimit

Konferenca e kryetarëve mblidhet në Kryesinë e Kuvendit në orën 10:00, duke i hapur rrugë nisjes së procedurave për raundin e dytë të zgjedhjes së Presidentit.

Raundi i parë u dogj të hënën në një seancë plenare pa kandidatë.

Konferenca e kryetarëve duhet të përcaktojë datën e mbajtjes së seancës plenare për raundin e dytë. Këtij raundi duhet t’i paraprijë vendosja e një afati për dorëzimin e dokumentacionit nga ana e kandidatëve potencialë dhe më pas verifikimi i këtij dokumentacioni nga Komisioni i Ligjeve.

I gjithë ky proces duhet të përmbyllet brenda 7 ditëve. PS ka deklaruar se do të shfrytëzojë maksimalisht afatet kushtetuese, duke sugjeruar mbajtjen e seancës plenare më 23 maj.

Të hënën, Kryeministri Edi Rama deklaroi se do të presë tre raundet e para të gjetur konsensus me opozitën dhe në raundin e katërt, PS do ta zgjedhë vetë Presidentin. Në tre raundet e para, për zgjedhjen e Presidentit nevojiten 84 vota, ndërsa në raundin e katërt dhe të pestë ai mund të zgjidhet me shumicë të thjeshtë prej 71 votash.

Por, Partia Demokratike e përçarë bashkohet vetëm në një pikë sa i takon procesit. Si Enkelejd Alibeaj, ashtu edhe Oerd Bylykbashi e cilësuan ofertën e socialistëve gjatë mbledhjes së Komisionit të Ligjeve të hënën si të pasinqertë.

Alibeaj ka dorëzuar një dokument ku bën identikitin e Presidentit të ri dhe mes kritereve është vendosur edhe kushti që duhet të jetë antikomunist. Bylykbashi e cilësoi farsë procesin, ndërsa akuzoi socialistët për përpjekje për të zgjedhur një emër të njëanshëm.

Ndërkohë, Fatmir Mediu u ka bërë thirrje të gjithë grupeve të opozitës që të dalin me një emër të përbashkët dhe t’ua dorëzojnë në tryezë socialistëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë