Politike

Rama: Shpejt do të kallëzojmë në SPAK figura të PS, kryetarë bashkie

Kryeministri Edi Rama paralajmëroi se shumë shpejt do të kallëzohet në SPAK një kryetar bashkie i Partisë Socialiste.

“Shumë shpejt do të keni kallëzime edhe për figura të Partisë Socialiste nga njësia antikorrupsion dhe do ta shikoni! Do të keni kallëzime atje në SPAK, për kryetarë bashkie të Partisë Socialiste që kanë turpëruar Partinë Socialiste dhe që duhet t’i kishte kapur më përpara drejtësia, por ne bëjmë punë tonë. Njësia antikorrupsion bën punën e vet, njësia antikorrupsion nuk bën punën e SPAK-ut”, tha Rama në konferencën për shtyp të kësaj të mërkure me në krah ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja.

Rama nuk dha emra, por dha disa udhëzime se kallëzimet nuk lidhen me inceneratorët.

“Nuk kemi arritur akoma në kohën kur të çojmë njerëz në SPAK, për pastrimin. Janë dy çështje, të cilat po hetohen nga Njësia Anti-Korrupsion dhe nëse e ndiqni Njësinë Anti-Korrupsion dhe nëse ndiqni të gjitha çfarë ka bërë deri më tani, do kuptoni edhe njëherë tjetër, ne nuk jemi tjetër themi e tjetër bëjmë, por bëjmë atë që themi e themi atë që bëjmë se po të mbronim njerëzit nuk do ishim duke rritur nivelin e goditjeve nga brenda për t’i çuar te SPAK-u, ne!”, vijoi ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë