Politike

Alibeaj mblodhi deputetët, Berisha thërret Këshillin Kombëtar të premten

Enkelejd Alibeaj mblodhi këtë të enjte një pjesë të deputetëve për t’u kërkuar edhe që të dalin me një qëndrim për procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri të Republikës, procedurë që fillon zyrtarisht me 10 maj.

Pjesa e Rithemelimit e drejtuar nga Sali Berisha nuk e njeh Alibeajn duke e konsideruar një deputet të thjesht dhe për pasojë kërkoi më herët gjatë ditës që edhe deputetët të bojkotojnë mbledhjen me argumentin se grupin e thërret kryesia e grupit dhe për Presidentin duhet të vendosë Këshilli i ri Kombëtar.

Këtë proces ka sqaruar deputeti i PD-së, Edi Paloka. Përmes një konference për shtyp ai njoftoi se Këshilli Kombëtar mblidhet të premten.   

Ne foto: Edi Paloka duke folur per mbledhjen te premten te Keshillit Kombetar

“Komisioni i Rithemelimit, ka vendosur thirrjen e mbledhjes së parë të Këshillit Kombëtar të PD në datën 6 maj në orën 18:00. qëllimi përveç konstituimit të Këshillit Kombëtar, edhe përcaktimi i një qëndrimi politik të PD lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit.

Mbledhja duhej mbajtur të paktën 5 ditë nga thirrja e Këshillit Kombëtar por për shkak të natyrës urgjente të çështjes që trajtohet, komisioni i Rithemelimit vendosi që të mbahet paraditen e kësaj të premteje.

Këshilli Kombëtar i PD është i vetmi organ i cili mund të përcaktojë qëndrimin e unifikuar të PD lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit, pasi në bazë të statutit edhe të vjetrit e të riut, Këshilli Kombëtar i PD është organi më i lartë që drejton veprimtarinë politike të PD në periudhën mes dy Kuvendeve.

Në mbledhjen e parë të këshillit kombëtar, statuti përcakton të zgjidhet edhe kryetari i këshillit kombëtar” tha Paloka.

Më tej në një njoftim zyrtar specifikohet se, “Bazuar në nenin 44 pika 4 e Statutit, në mbledhjen e parë të konstituimit të Këshillit Kombëtar, zgjidhet edhe kryetari I këshillit kombëtar midis të paktën 2 kandidaturave alternative”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë