Shendet

Shtohet numri i pacientëve që vuajnë nga astma në Shqipëri

Numri i pacientëve që vuajnë nga astma në Shqipëri është shtuar, sidomos te fëmijët e vegjël. Mjekët shprehen se arsyet janë të shumta, duke nisur nga shtimi i faktorëve mjedisorë që na ekspozojnë ndaj alergenëve të ndryshëm.

Astma bronkiale është një sëmundje inflamatore kronike me prekje të rrugëve të poshtme respiratorë dhe sipas mjekes alergologe Alketa Bakiri, fillon me vështirësi në frymëmarrje, shtrëngim dhe fishkëllima në gjoks e kollë. Kështu pacienti ndihet i irrituar, i lodhur dhe shpesh herë, të jetë dhe i pa gjumë. Numri i pacientëve të prekur rritet nga viti në vit në gjithë botën, e natyrisht, edhe në Shqipëri.

Doktoresha Alketa Bakiri.04.05.2022.

Në 2-3 dekadat e fundit prevalenca e astmës bronkiale është rritur në mënyrë të konsiderueshme dhe sidomos te fëmijët. Këtë vit tema e zgjedhur nga GINA (Global Iniciative for Asthma – organizate mjekësore ndërkombëtare e themeluar në vitin 1993) për të sjellë në vëmendjen e njerëzve rëndësinë e trajtimit të saj është: ̎ Closing gaps in asthma care ̎, që do të thotë, “Të trajtojmë korrekt dhe pa mangësi astmën bronkiale”.

Mjekja shprehet se janë një sërë faktorësh që mund të agravojnë apo që mund të nxisin kriza të astmës dhe që mund t’i klasifikojmë si faktorë personalë, mjedisorë, dhe faktorë të tjerë.

Ndër faktorët personalë perëndimin predispozitën gjenetike dhe atopinë. Ndërsa ndër faktorët mjedisorë përmendim, ekspozimin ndaj alergenëve të ndryshëm – që mund të jenë në mjedise të mbyllura si pluhrat e shtëpisë, apo alergenët që gjenden në ambiente të hapura si polenet, mykrat, ekspozimi ndaj kafshëve shtëpiake.

Edhe kalimi i një infeksioni të rrugëve respiratore si p.sh. kalimi i një viroze stinore, ekspozimi ndaj ajrit të ftohtë apo dhe gjendjet emocionale dhe medikamente të caktuara.
Gjithashtu ushqime me përbërje salicilatesh, apo lëndët narkotike mund të ndikojnë në përkeqësim dhe acarim të astmës bronkiale. Po kështu, obeziteti, cikli menstrual, shtatëzania apo refluksi gasto-ezofageal mund të ndikojnë negativisht mbi të. Kështu duke njohur edhe nxitësit e një krize astme, mund të jetë më e thjeshtë për të reduktuar ekspozimin ndaj tyre; megjithatë, kjo jo gjithmonë është e mundur.

Foto ilustruese-Grua në vështirësi me frymëmarrjen nga astma. 04.05.2022.

Cilat janë vështirësitë e një personi me astmë?

Zakonisht, një krizë astme paraprihet nga një kollitje e shprehur veçanërisht natën. Gjithashtu ka vështirësi në frymëmarrje, dobësi e lodhje dhe pamundësi për të fjetur gjatë natës.


Po kështu, përfshihet prania e simptomave të tjera alergjike të shprehura. Ato janë riniti alergjik i pa mjekuar me teshtitje, rrjedhje të ujshme hundësh, apo kongjestion nazal, të cilat shpesh herë rëndojnë manifestimet klinike të astmës bronkiale.

Astma bronkiale është një sëmundje kronike. Por ajo mund të menaxhohet dhe krizat e saj mund të reduktohen. Meqenëse një atak apo krizë astme mund të përkeqësohet nga një moment në tjetrin, është e rëndësishme që simptomat të trajtohen sa më herët që të jetë e mundur.


Në qoftë se mjekimet nuk merren siç duhet, astma përkeqësohet. Gjithashtu shqetësimet si fishkëllima në gjoks e vështirësia në frymëmarrje bëhen më të shprehura.
Në këto raste, pacientët duhet ti drejtohen patjetër mjekut dhe spitalit më të afërt.
Duhet të kryhet diagnostikimi dhe trajtimi korrekt i pacientëve. Është i rëndësishëm vlerësimi me përparësi të astmës bronkiale mes patologjive të tjera kronike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë