Politike

Kadilli: Berisha të hapë rrugë për një brez tjetër në krye të PD

Gjatë një fjale të mbajtur në Kuvend, Fatbardh Kadilli ka kërkuar që PD të mos përsërisë të njëjtat gabime si më parë.

Duke vlerësuar rolin e deritashëm të Berishës dhe kritikuar Bashën, Kadilli qartësoi se e vetmja e ardhshme e PD-së është pa Berishën kryetar.

“Dua t’i bëj thirrje edhe një herë tjetër Zotit Berisha që të hapë rrugën për një brez tjetër në krye të PD-së, i cili mund të vijë nga një garë e lirë dhe e vërtetë. Një garë ku merr pjesë zoti Berisha nuk është garë e vërtetë.

Në emër të së ardhmes dua t’i bëj thirrje këtij Kuvendi që të shprehë qartë: ndarjen nga çdo trashëgimi e keqe e së shkuarës sonë.

Të shpallim ndarjen nga korrupsioni dhe abuzimi me pushtetin që edhe ne kemi kryer në të shkuarën.

 Të dashur demokratë,

I gjithë fokusi i Edi Ramës dhe shpurës së tij është të mbajë pushtetin me çdo mjet dhe me çdo çmim: pavarësisht ligjit, pavarësisht moralit, pavarësisht kostove.

 Një nga investimet më të mëdha të Edi Ramës është lufta kundër PD-së, lufta kundër nesh, që të shpenzojmë energji dhe kohë për tu mbrojtur dhe që të mos kemi kohë dhe energji për të ndryshuar.

 Rama dhe pushteti punojnë në mënyrë të vazhdueshme për të përçarë, diskredituar dhe dekurajuar kundërshtarët e tanishëm dhe ata potencialë, veçanërisht PD-në”, tha Kadilli.

Nga ana tjetër, Kadilli vërejti se elektorati i djathtë, është i përçarë. “Ca mbështesin këtë apo atë udhëheqës pa kushte, ca janë të zhgënjyer nga PD-ja, ca janë të zhgënjyer nga të gjitha partitë e djathta, ca kanë humbur shpresën tek politika.

 Kjo përçarje vjen nga mungesa e vlerave të partive të djathta, veçanërisht PD-së.

Ndaj bashkimi mund të vijë vetëm nëse PD do të kthehet në parti vlerash.

 Përtej të djathtës, shumë qytetarë kanë humbur çdo lloj besimi ndaj poitikës dhe politikanëve

Ky mosbesim i ka çuar ata në braktisjen e politikës dhe bojkotimin e zgjedhjeve.

Shumë i ka çuar drejt emigrimit.

 Kjo krizë mosbesimi buron më shumë se nga çdo gjë tjetër nga korruptimi i politikanëve.

 Ndaj kthimi i besimit të qytetarëve dhe pjesëmarrja e tyre në politikë mund të vijë vetëm nëse PD i kthehet vlerave;

Vetëm nëse PD do të shkëputet një herë e mirë nga pjesa e korruptuar dhe dështimet e të shkuarës së saj;

Vetëm nëse në krye të PD-së do të ketë njërëz me integritet të padiskutueshëm”, tha ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë