Njerez

Digjitalizimi ul korrupsionin? Qytetarët thonë jo në sondazhe!

Qëndresa Qytetare ka kryer një raport mbi perceptimin e qytetarëve, për ndikimin e digjitalizimit të institucioneve tek korrupsioni.
Foto ilustruese- Njerëz në rrugë.

Korrupsioni do të minimizohet nga digjitalizimi. Kjo ka qenë ndër synimet e qeverisë kur aplikoi sistemin online dhe pa sportele.

Por sipas një raporti të fundit nga organizata joftimprurëse “Qëndresa Qytetare” nuk rezulton kështu.
Shumica e qytetarëve nuk besojnë se digjitalizimi eleminon korrupsionin.

Drejtuesi i organizatës Rigels Xhemollari i tha Gazetasi.al se sipas sondazhit të realizuar, duket se dixhitalizimi i shërbimeve nuk ka shërbyer për të ulur perceptimin publik mbi korrupsionin.

Rigels Xhemollari

“Qytetarët të përballur tashmë prej vitesh me infromacionin mbi korrupsionin nuk kanë besim. Tenderat publik që prej vitesh janë digjital apo vaksinimet  “digjitale” dhe jo reale në vitin e fundit, duket se kanë zbehur besimin e qytetarëve”,shpjegoi Xhemollari.
Sipas tij të dhënat tregojnë se qytetarët nuk besojnë se kjo formë do jetë efikase në luftën ndaj korrupsionit.

“Sektorë të tërë të administratës publike fatkeqësisht, kanë gjetur rrugë të reja për të përfituar para edhe në rastet kur shërbimet digjitalizohen”,shpjegon më tej Xhemollari.

Raporti u krye online tek 546 persona të moshës 18-60 vjeç. Të gjitha pyetjet ishin të drejtuara rreth perceptimit të korrupsionit në Shqipëri.

Rreth 78% e të anketuarve mendonin se dhënia e parave funksionon më mirë për të kryer punët administrative.
Gjithashtu shumica e tyre kanë mungesë besimi tek administrata publike.

Sipas të dhënave rreth 37.4% e të anketuarve mendojnë se korrupsioni do të eksiztojë gjithnjë.
Ndërsa 10.3% e të pyeturve besojnë që korrupsionin në vend nuk do ekzistojë si fenomen në të ardhmen.

Më tej ka opinione të ndryshme edhe për rritjen e çmimeve. Rreth 33.5% e qytetarëve cilësojnë korrupsionin si faktor kryesor për rritjen e tyre.  6.4% fajsojnë zhvillimet globale. Ndërkohë pjesa më e madhe(59.6%) mendojnë që të dy këta faktorë janë ndërthurur.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë