Enkelejd Alibeaj, Jorida Tabaku dhe Gazment Bardhi, tre nënkryetarë të Partisë Demokratike para se Lulzim Basha të jepte dorëheqjen, për Departamentin e Shtetit janë drejtuesit realë të Partisë Demokratike.
Në njoftimin e shpërndarë nga Ambasada Amerikane në lidhje me vizitën e zëvendës ndihmës Sekretares për Europën dhe Euroazinë, Karen Donfried takimi me Alibeajn, Tabakun dhe Bardhin në Kryesinë e Kuvendit cilësohet si takim me drejtues të opozitës.
“Si pjesë e vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor, Ndihmës Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit dhe i Dërguari i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar ishin në Shqipëri në 28 dhe 29 prill. Ata u takuan me Kryeministrin Edi Rama, ministra të ndryshëm dhe drejtuesit e opozitës”, thuhet në deklaratë.
Roli i opozitës vlerësohet i pazëvendësueshëm të një opozite të fortë për demokracinë e Shqipërisë, rëndësinë e institucioneve të forta demokratike dhe sundimit të ligjit.
“…dhe shprehën shpresën për një partneritet të efektshëm dhe që sheh përpara me popullin shqiptar, duke përfshirë edhe partitë që i përfaqësojnë ata”, thotë deklarata.
Sa për qëllimin i vizitës…
“Ishte thellimi i partneritetit tashmë të fortë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë si miq, aleate në NATO dhe anëtare në Këshillin e Sigurimit së Kombeve të Bashkuara, sidomos teksa festojmë 100-vjetorin e marrëdhënieve tona dypalëshe”, vijon njoftimi.
SHBA mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe në këtë kuadër vijojnë të nxisin reformat e gjithanshme.
“Ata rikonfirmuan mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe nxitën vijimin e reformave të nevojshme, përfshirë reformën në drejtësi; mirëpritën përpjekjet e fundit për të diversifikuar burimet, furnizimet dhe rrugët e energjisë në Shqipëri dhe më gjerë në rajon; dhe nënvizuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë luftën kundër korrupsionit si një interes thelbësor i sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”, thotë Ambasada.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.