Lajme

Prokuroria rihap garën për KLP

Kryeprokurorja Arta Marku ka hapur sërish garën për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, pasi prokurorët kanë refuzuar të kandidojnë dhe afati prej 15 ditësh lënë në dispozicion ka skaduar që më datë 10 tetor 2015. Sipas dokumenteve rezulton se asnjë kandidat nuk ka aplikuar për t’u bërë pjesë e Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Në dokumentin e datës 24 shtator 2018 prokurorja e përgjithshme, Arta Marku, hapi garën duke u bërë ftesë vartësve të saj të aplikojnë për t’u bërë pjesë e KLP-së. Afati për të garuar për këtë pozicion ishte 15 ditë nga data e shpalljes 25 shtator 2018, por kur ky afat skadoi më 10 tetor asnjë prokuror nuk aplikoi.

Vakanca u krijua, pasi dy kandidatët, Bujar Hoti dhe Besa Nikëhasani ngecën në rrjetën e vetingut. 

I vetmi i konfirmuar nga Prokuroria e Apelit që njëherazi është edhe kandidat për KLP është Arben Dollapaj nga Apeli i Shkodrës. Kryeprokurorja Marku është kujdesur që të nxisë vartësit të aplikojnë duke kërkuar po ashtu që kjo shpallje t’i dërgohet çdo prokurori në e-mailin e tij zyrtar.

Në Këshillin e Lartë të Prokurorisë do të jenë 6 anëtarë prokurorë, nga të cilët: 1 nga Prokuroria e Përgjithshme, 2 anëtarë nga Prokuroritë e Apelit; dhe 3 anëtarë nga Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë