Dy dite para mbledhjes së Kuvendit të 30 Prillit të thirrur nga Sali Berisha, Gazment Bardhi i pozicionuar përballë tij ka deklaruar për mediat se ekziston një pjesë brenda PD-së që nuk e do bashkimin e partisë.
“Ka një platformë të shumicës dërmuese të PD e cila është bërë publike dhe është një akt konkret për të arritur bashkimin e demokrateve. Ka një pjesë brenda PD që nuk e duan bashkimin dhe duan ta lënë të zvogëluar dhe në opozitë PD.
Qëndrimet nuk votohen, por shprehen. Çdo deputet i cili i ka vënë emrin asaj platformë ka shprehur qëndrimin e tij.
Vendimet merren nga institucionet e partisë. Ne deputetët kemi shprehur qëndrimin tonë si gjykon grupi parlamentar si mund të arrihet bashkimi i demokratëve.
Secili prej deputetëve ka shprehur qëndrimin e tij, ka shprehur atë qëndrim.
Ai qëndrim është shprehur dhe me shkrim nga kryetari i grupit. Nëse dikush kërkon t’i kthejë deputetet e PD në karagjozë, kjo është zgjedhje.
Asnjë prej tyre nuk është tërhequr. Ashtu si zoti Alibeaj, secili prej deputetëve ka pasur propozime shtese. Kjo është bërë e ditur nga kryetari i grupit.
Edhe unë kam pasur propozime të tjera. E rëndësishme është që për ato 5 çështje, 32 deputetët që i është lexuar emrin kanë pasur qëndrim për bashkimin e PD…”, tha Bardhi duke iu referuar platformës së propozuar pak kohë më parë nga Enkeleid Alibeaj mbështetur nga 32 deputetë që dy më pas prej tyre u tërhoqën.
A është data 30 prill dita kur PD ndahet de juro përfundimisht?
“Uroj shumë që cilido të kapërcejë veten e të mendojë interesin e demokratëve.
Deri tani keni parë akte që e përçajnë PD e kjo nuk është zgjidhje për PD, forcimin e PD e interesin e demokratëve, por është zgjidhje për interesin personal të Berishës.
Uroj shumë që të ketë reflektim uroj shumë të ketë një vlerësim realist e të hiqet dorë nga rruga që çon në çarjen përfundimtare të PD…”, u përgjigj Bardhi
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.