Politike

Alibeaj: Kuvendi i Berishës, përçarës! Për Presidentin, grupi ka qëndrim të unifikuar

Enkelejd Alibeaj përjashtoi mundësinë e pjesëmarrjes në Kuvendin e 30 prillit të thirrur nga grupi i rithemelimit të Partisë Demokratike. Ai e cilësoi të njëanshëm këtë kuvend, jo përbashkues ndërsa përsëriti qëndrimin se i vetmi dokument përbashkimi për demokratët është platforma e grupit parlamentar, që përjashton Berishën.

“Është në fuqi, ajo do të jetë në fuqi gjatë gjithë kohës. Është diskutuar gjerë e gjatë, në mbledhje të gjata, diskutime dhe takime me deputetët. Është shprehur qëndrimi i tyre. Pati një refuzim, që të gjithë e dini se nga kush”, tha Alibeaj.

Nëse Kuvendin e Berishës Alibeaj e cilësoi përçarës të demokratëve, qëndrimin e grupit parlamentar sa i takon zgjedhjes së Presidentit të ri e cilësoi të unifikuar, pavarësisht se Berisha kërkon që të mos negociohet me Ramën, ndërsa Alibeaj është pro negociatave.

“Qëndrimi i grupit parlamentar të PD është bërë i qartë me konsultim me deputetët, me mendje të hapur. Do të jetë pjesë e diskutimeve të grupit kjo çështje dhe duke pasur synim të gjithë ne një profil politik që të jetë për shqiptarët. Është detyrimi ynë politik ta marrim këtë përgjegjësi. Është një test politik për të gjitha palët të marrin pjesë në proces. Konsultimet do të ndodhin, së pari mes nesh, brenda grupit parlamentar”, u shpreh ai.

Sipas Alibeajt, mazhoranca nuk ka as legjitimitetin e numrave, as atë moral që të zgjedhë Presidentin e ri.

“Janë 4 deputetë të kësaj mazhorance të etiketuar si non grata. Non-gratat nuk kanë të drejtën morale dhe politike për të votuar për Presidentin. Duhet të jetë një President jo i afektuar nga votat non grata”, u shpreh ai.

Kreu i grupit parlamentar demokrat bëri edhe profilin politik të Presidentit të ri, ndërsa akuzoi mazhorancën për një proces të rremë dhe të ngutur.

“Duhet të jetë një njeri që të jetë një njeri i ekuilibrave, që ka treguar se përballet me dinjitet testeve politike. Procesi i zgjedhjes së presidentit të republikës të jetë serioz, që mos të ngutemi. Jam i mirë në matematikë! Nuk është çështje numrash, por procesi, një proces gjithëpërfshirës. Ky parlament nuk duhet ta zgjedh nga gjiri i vetë përmes pazareve dhe kulisave, por përmes procesit transparent”, shtoi Alibeaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë