Ish-kryetari i Partisë Bindja Demokratike, njëkohësisht edhe ish nënkryetar i PD-së, Astrit Patozi, ka refuzuar ftesën e Sali Berishër për rikthim në Partinë Demokratike.
Në një reagim në rrjetet sociale, Patozi, teksa ka “falenderuar” për ftesën, është shprehur se nuk është më në kërkim të një partie, e siç thotë ai “aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë”.
Patozi kujton se ashtu siç e larguan pesë vite më parë në mes të natës pa votë dhe pa mbledhje, po në atë orë i ka ardhur ftesa.
“Faleminderit, por nuk jam në kërkim… Meqë më paska dalë emri mbrëmë dhe media është shprehur shumë e interesuar, e gjeta të udhës të jap një përgjigje të shkurtër.
Faleminderit, që na kujtojnë ende, por unë nuk jam në kërkim të ndonjë partie. Aq më pak të atij lloji, që janë katandisur si mos më keq nga drejtimi i gabuar për një kohë të gjatë dhe të pandërprerë”, thotë Patozi.
Ai deklaron se ndjehet shumë rehat sot me jetën dhe lirinë e tij, “ndërkohë që për asnjë çast në këtë botë nuk kam menduar se politikë bëhet vetëm brenda një partie dhe vetëm rrotull një udhëheqësi legjendar dhe të pagabueshëm”.
“Por meqë ftesa verbale për “dasëm” qenka bërë pas mesit të natës, kujtoj se e njëjta gjë ka ndodhur edhe 5 vjet më parë, kur na larguan. Natyrisht, pa votë dhe pa mbledhje forumesh politike.
Të paktën, orën mund ta kishin ndërruar. Se në dorë vetë e kishin, si atëherë edhe tani”, thotë Patozi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.