Libra

Lea Ypi fiton çmimin ‘Lumo Skëndo’ me librin ‘Të lirë’

fotografi e Lea Ypit

Nga Gazeta Si – Lea Ypi, një prej personazheve më të përfolur muajt e fundit me librin e saj “Të lirë” ka rrëmbyer çmimin “Lumo Skendo” për vitin 2021 si libri më i mirë.

Çmimi për këtë libër iu akordua për vlerat e shquara në trajtesën origjinale, artistike e filozofike të konceptit të lirisë në kohën e diktaturës komuniste dhe të tranzicionit demokratik në Shqipëri, nëpërmjet kujtimeve të fëmijërisë dhe adoleshencës, dhënë me vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor, meditim politik e filozofik bashkëkohor.

Çmimi iu dorëzua nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, e cila ishte e pranishme në ceremoninë e dhënies së çmimit.

Në këtë libër autorja Lea Ypi sjell kujtimet e fëmijërisë dhe adoleshencës, të cilat janë vlerësuar se përcjellin vërtetësi, sinqeritet, ndjeshmëri, humor dhe meditim politik.

Libri “Të lirë” nga Lea Ypi

Në garën për çmimin “Lumo Skëndo” ishin dhe autorë si Fatos Lubonja me librin e tij të fundit “Jetë burgu”, Rubens Shima me “Posteri shqiptar”, Fatmir Toçi me “Arbëreshët” dhe Kujtim Shala me “Zbulimi i Zef Pllumit”.

Juria për çmimin “Lumo Skëndo”, për vitin 2021 përbëhej nga Uran Butka, Drejtor i Institutit të Studimeve “Lumo Skëndo”; Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë; Dhurata Shehri, zv/dekane e Fakultetit të Gjuhës dhe Letërsisë, Belina Budini, Dekane e Fakultetit të Shkencave Humane, UET dhe Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar.

Të pranishëm në ceremoni ishin një sërë figurash të shquara nga fusha e letrave shqipe si dhe ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim.

“Të lirë” e Lea Ypit u përzgjodh edhe për çmimin prestigjioz Baillie Gifford për letërsinë jo-fiction.

Recensione për këtë libër janë botuar edhe në mediat e huaja si “The Guardian”, “The Times” apo “Financial Times”, ndërsa në Tiranë u promovua nëntorin e shkuar në vilën e ish-diktatorit shqiptar Enver Hoxha, në një nga sallat e pritjes, të cilën Lea do ta cilësonte si kurorëzimin e një ëndrre.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë