Shendet

Çfarë është citomegalorovirusi dhe si mund të trajtohet

Nga Ilda Ndreka* – Pandemia e Covid-19 na mësoi se nuk mund të anashkalojmë një virus në jetën tonë. Citomegalovirusi (CMV) është një tjetër virus të cilit duhet t’i japim rëndësi. Ai është një virus me ADN dhe është virus i zakonshëm i cili mund të infektojë këdo. Shumë njerëz nuk e dinë që e kanë virusin dhe rrallëherë mund të shkaktojë problem tek njerëzit e shëndetshëm.

Infeksioni primar me CMV mund të shkaktojë temperaturë me origjinë të panjohur. Simptomat bëhen të dukshme 9-60 ditë pas infeksionit primar.
Pjesa me e madhe e të rriturve të shëndetshëm, duke përfshirë dhe gratë shtatzënë nuk kanë simptoma. Të moshuarit mund të kenë: temperaturë, dhimbje fyti, lodhje, gjëndra të zmadhuara, dhimbje të muskujve, humbje oreksi, ngrirje të artikulacioneve.

Te gratë shtatzënë dhe njerëzit me një imunitet të dobësuar mund të shkaktojë probleme. Gratë që zhvillojnë një infeksion aktiv nga CMV gjatë shtatzënisë mund t’ia kalojnë virusin bebit, i cili mund të paraqesë simptoma.
CMV përhapet nga një person te tjetri përmes lëngjeve të trupit si gjaku, pështyma, urina, sperma dhe qumështi i gjirit.
Një person e transmeton virusin vetëm kur është aktiv (kur e merr virusin për herë të parë ose kur virusi riaktivizohet për shkak të një imuniteti të dobësuar).

Gratë shtatzënë
Shtatzënat të cilat janë të infektuara rrallë kanë simptoma por zhvillimi i fëmijës se tyre, mund të jetë në risk për sëmundje kongjenitale nga CMV. Transmetimi nga nëna tek fëmija është i mundur në 30-50 % të rasteve. Nga bebet e infektuara vetëm 10-15 % tregojnë shenja të një infeksioni kongjenital nga CMV pas infektimit primar amtar. Infeksioni kongjenital nga CMV është rreth 0.2-2.5 %.

Imazhet mikroskopike të virusit.

Shenjat te fëmijët
Te fetusi, CMV mund të çojë në anomali që shikohen në ekografi në periudhën para lindjes. Shumë persona nuk tregojnë asnjë shenjë të CMV në lindje dhe nuk kanë probleme në vazhdim. Nëse dyshohet për të porsalindur të prekur me CMV duhet të bëhen testet përkatëse.
Testet që përfshihen janë: testet e gjakut, të pështymës, të urinës, ekografi dhe testi i dëgjimit. Fëmija do të ketë më shumë teste mbi moshën 12-vjeçare, për t’u siguruar që nuk ka asnjë problem si përshembull: EKG për të parë që zemra është në rregull.

1 në 10-15 fëmijë të lindur me CMV kanë simptoma si psh: mikrocefali (kokë e vogël), njolla të kuqe të vogla, mëlçi dhe shpretkë të zmadhuar, humbje dëgjimi, depozita të kalciumit në tru. Në disa fëmijë mund të çojë në probleme të zhvillimit si psh: dëmtime fizike, konvulsione, çrregullime të vëmendjes, hiperaktivitet, autizëm, dëmtime shikimi.

Disa shenja dalluese të virusit.

Menaxhimi
Tre tipet e reduktimit të ekspozimit ndaj burimeve më të shpeshta të infeksionit janë:
– Mos ndaj ushqim, pije, produktet dhe mjetet e ngrënies me të rinjtë dhe veçanërisht me fëmijët e vegjël.
– Mos puth në buzë ose përreth saj fëmijët e vegjël.
– Laj duart pasi bie në kontakt me bebelinat, hundët që rrjedhin dhe sekrecionet orale.
Njerëzit e shëndetshëm të cilët janë të infektuar me CMV, por që nuk kanë simptoma, zakonisht nuk kërkojnë trajtim me ilaçe. Trajtimi antiviral përdoret vetëm në individët me imunitet të kompromentuar të cilët kanë infeksione të syrit dhe sëmundje kërcënuese për jetën. Nuk ka vaksinë për të parandaluar këtë lloj infeksioni.

*Ilda Ndreka është mjeke obstetër-gjinekologe


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë