Europianët duruan verën më të nxehtë të regjistruar vitin e kaluar, me zjarre, përmbytje dhe valë të nxehta intensive që goditën kontinentin.
Temperaturat gjatë verës ishin 1°C më të larta se mesatarja për tre dekadat e mëparshme, sipas një raporti të ri nga Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike të Bashkimit Europian (C3S).
Raporti zbuloi se, ndërsa pranvera 2021 ishte më e freskët se mesatarja, muajt e verës u shënuan nga ‘valë të nxehta të forta dhe të gjata’ veçanërisht në rajonin e Mesdheut, ku u thyen rekordet e temperaturës në Itali dhe Spanjë.
Kjo përfshin një ditë 48,8°C të paprecedentë të matur në Siçili gushtin e kaluar.
Temperaturat e larta të zgjatura kontribuan në zjarre, të tilla si ato që u panë në Greqi dhe Turqi vitin e kaluar.
Sipërfaqja totale e djegur gjatë korrikut dhe gushtit në rajonin e Mesdheut ishte afërsisht 2 milionë hektarë.
Ekspertët thonë se ndryshimet klimatike rritën gjithashtu gjasat për reshje të dendura shiu që çuan në përmbytje vdekjeprurëse në Belgjikë dhe Gjermani korrikun e kaluar.
Ndërkohë, temperaturat e sipërfaqes së detit vitin e kaluar ishin më të larta se në çdo kohë që nga të paktën 1992 në Detin Mesdhe lindor dhe pjesë të Detit Baltik, ku merkuri u rrit më shumë se 5°C mbi mesataren gjatë muajve të verës.
Shpejtësia vjetore e erës në pjesë të Europës perëndimore dhe qendrore ishte ndër më të ulëtat që nga viti 1979, tha Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike Copernicus.
Kjo çoi në një reduktim të potencialit të vlerësuar për energjinë e erës, një nga burimet kryesore të energjisë së rinovueshme që vendet europiane po përdorin për të reduktuar emetimet e gazeve serrë nga prodhimi i energjisë elektrike.
“2021 ishte një vit i ekstremeve duke përfshirë verën më të nxehtë në Europë, valët e të nxehtit në Mesdhe, përmbytjet dhe thatësirat në Europën Perëndimore”, tha në një deklaratë drejtori i C3S, Carlo Buontempo.
“Kjo tregon se kuptimi i ekstremeve të motit dhe klimës po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm për sektorët kyç të shoqërisë”.
Gjetjet e agjencisë bazohen në stacionet e motit në tokë dhe vëzhgimet satelitore që datojnë që nga viti 1950.
Globalisht, raporti tregoi se shtatë vitet e fundit kanë qenë më të ngrohtat në histori.
Niveli global i detit vazhdoi të rritet gjatë vitit 2021; rritja totale që nga viti 1993 është rreth 9 cm.
Emetimet e karbonit nga zjarret në Arktik ishin të katërtat më të larta që nga fillimi i regjistrimeve në vitin 2003, kryesisht nga Siberia lindore.
Ndërkohë, të dhënat më të fundit të konsoliduara, deri në fund të vitit 2020, tregojnë se shtresat e akullit të Grenlandës dhe Antarktidës vazhduan të humbnin masë.
Përqendrimet e gazit serrë të dioksidit të karbonit (CO2), dhe veçanërisht metanit (CH4), vazhduan të rriten gjatë vitit 2021, përkatësisht me rreth 2.3 ppm dhe 16.5 ppb.
“Ekspertët shkencorë kanë paralajmëruar se po na mbaron koha për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C”, tha Mauro Facchini, Shefi për Industrinë e Mbrojtjes dhe Hapësirën për Komisionin Europian.
“Ky raport thekson nevojën urgjente për të vepruar pasi ngjarjet ekstreme të lidhura me klimën po ndodhin tashmë në Europë”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



