Shendet

Gotat plastike lëshojnë miliona grimca në pije

Gotat e kafesë njëpërdorimshme plastike njihen tashmë si një plagë mjedisore. Kjo për shkak të veshjes së hollë plastike që i bën ato jashtëzakonisht të vështira për t’u ricikluar.

Një studim i ri i publikuat në revistën shkencore “Environmental Science and Technology”, ka zbuluar se këto gota transmetojnë miliona grimca plastike mikroskopike në pijen tuaj.
Studiuesit në Institutin Kombëtar të Standardeve dhe Teknologjisë analizuan gotat të veshura me polietileni me densitet të ulët (LDPE). Ky produkt plastik i butë dhe fleksibël, përdoret shpesh si një shtresë e papërshkueshme nga uji.

Ata zbuluan se kur këto gota ekspozohen ndaj ujit në 100 gradë celsius, ato lëshojnë triliona nanogrimca për litër në ujë.

Plastika në mikroskop.

“Gjëja kryesore është se ka grimca plastike kudo duke pasur efekte të këqija shëndetësore tek konsumuesit”, tha kimisti i institutit, Christopher Zangmeister.
Për të analizuar nanogrimcat e lëshuara nga filxhanët e kafesë, Zangmeister dhe ekipi i tij morën ujin në filxhan, e spërkatën atë dhe e lanë të thahej – duke izoluar kështu nanogrimcat nga pjesa tjetër e tretësirës.
Kjo teknikë është përdorur më parë për të zbuluar grimcat e vogla në atmosferë.

Nanogrimcat u ekspozuan ndaj një avulli të nxehtë të butanolit, një lloj alkooli më pas u ftohën me shpejtësi. Ndërsa alkooli kondensohej, grimcat u rritën nga madhësia e nanometrave në mikrometra, duke i bërë ato shumë më të dallueshme. Ky proces është i automatizuar dhe i drejtuar nga një program kompjuterik, i cili numëron grimcat.
Studiuesit gjithashtu mund të identifikojnë përbërjen kimike të nanogrimcave, duke i vendosur ato në një sipërfaqe dhe duke i vëzhguar ato me një teknikë të njohur si mikroskopi elektronik skanues.
Të gjitha këto teknika të përdorura së bashku dhanë një pamje më të plotë të madhësisë dhe përbërjes së nanogrimcave. Në analizat dhe vëzhgimet e tyre, studiuesit zbuluan se madhësia mesatare e nanogrimcave ishte midis 30 nanometra dhe 80 nanometra.

Një studim i ngjashëm nga Instituti Indian i Teknologjisë në Kharagpur në vitin 2020 zbuloi se një pije e nxehtë në një filxhan të disponueshëm përmban mesatarisht 25,000 mikroplastikë.
Burimi: Daily Mail/ Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë