Shendet

Niveli i ulët arsimor ka nxitur obezitetin te gratë në Shqipëri

Niveli arsimor lidhet me problematikën e obezitetit tek gratë në Shqipëri. Të dhënat e anketës së fundit “Gratë dhe Burrat” nga INSTAT tregojnë për një lidhje mes nivelit arsimor dhe obezitetit.

Sa më i ulët është niveli arsimor, aq më e lartë është tendenca për të qenë më i shëndoshë. Sipas të dhënave, 24,4% e grave në Shqipëri të grup moshës 15-59 vjeç konsiderohen obeze. Ky tregues matet me indeksin e masës trupore, i cili shpreh raportin e peshës në kg me lartësinë në metra katror.

Sipas INSTAT, qytetet shqiptare ku gratë kanë nivelin më të lartë të indeksit të masës trupore janë Elbasani (20.5%), Berati (20.3%), ndërsa më i ulëti është në Kukës (12.2%).

Në raport shkruhet se ndër arsyet e tjera është se dieta e pakontrolluar dhe mungesa e aktivitetit fizik po i çon shqiptarët me shpejtësi drejt obezitetit.

Të dhënat e obezitetit të përcaktuara nga INSTAT.

Më herët nutricionistja Diola Dosti i ka shpjeguar Gazetasi.al se Shqipëria përditë e më shumë po vuan mbipeshën te fëmijët. Ajo ka shpjeguar se ka shumë nevojë për ndërgjegjësim dhe për më shumë përpjekje nga të gjitha institucionet.

Nutricionistja shpjegon se obeziteti nuk është thjesht një trup me përmasa të mëdha, por një organizëm shumë problematik me një mëlçi të dhjamosur, që në të ardhmen do vuajë nga diabeti dhe sëmundjet e zemrës.

Ndërkaq të dhëna të tjera nga Eurostat-it, tregojnë se Shqipëria renditet e treta në Evropë për nivelin e lartë të obezitetit të femrave, pas Irlandës me 28.1% e popullsisë dhe Maltës me 24.5% të popullsisë.

Obeziteti është një nga sëmundjet më të përhapura dhe kronike që kanë nevojë për trajtim dhe parandalim mjekësor sistematik. Mjekët e kanë e përcaktuar si një akumulim i tepërt i yndyrës në trup. Agjencia Europiane e Barnave (EMA) e përcakton obezitetin si një gjendje klinike kronike që zakonisht kërkon terapi afatgjata për të nxitur dhe ruajtur humbjen e peshës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë