Politike

Alibeaj sqaron pikën e platformës së bashkimit që përçau grupin parlamentar

Enkelejd Alibeaj doli para mediave për të bërë publike platformën me gjashtë pika, që ai e quajti “platforma e parimeve për bashkimin e demokratëve”.

Pika që ka ndarë palët në firmosjen e kësaj platforme është ajo me numër pesë, që ka të bëjë me riogranizimin e strukturave dhe zgjedhjen e forumeve dhe kryetarit të ri të partisë. Në hapin tre që përcakton kjo pikë, ka një propozim të deputetëve Agron Gjekmarkaj dhe Ferdinand Xhaferaj, që përjashton nga gara si Lulzim Bashën, ashtu edhe Sali Berishën.

“Të drejtën për të kandiduar e ka cdo demokrat [anëtar i PD-së]që plotëson kriteret e përcaktuara, përveç kandidatëve të mundshëm të cilët kanë mbajtur për dy mandate pozicionin e “Kryetarit të PDSH-së”, dhe/ose që nuk kanë fituar në dy Zgjedhje për Kuvend, gjatë kohës kur kanë mbajtur pozicionin e “Kryetari të PDSH-së”, thuhet në këtë pikë.

Basha përmbush të dyja kriteret përjashtuese, po ndërsa Berisha përmbush kriterin e mbajtjes së partisë për më shumë se dy mandate si kryetar.

Platforma e Alibeajt

1- Aplikimi i parimeve të mëposhtme në vlerësimin e ne deputetëve të Grupit Parlamentar të PD sjell ndërprerjen e menjëhershme të konfliktit të brendshëm dhe i hap rrugë bashkimit të demokratëve, që është interesi i vetëm politik dhe elektoral i Partisë Demokratike të Shqipërisë.

2- Grupi Parlamentar i PD apelon me forcë për shmangien e gjuhës së urrejtjes, shantazhit, përçarjes, fyerjes dhe arrogancës mes demokratëve dhe i bën thirrje secilit anëtar të Partisë të reflektojë dhe të heq dorë nga cdo pozicionim i deritanishëm përçarës mes demokratëve.

3 – Anëtarët e Grupit Parlamentar të përjashtuar apo pezulluar nga grupi me vendim të Këshillit Kombëtar të datës 12 janar 2022, rikthehen në grup, si anëtar me të drejta të plota.

4 – Anulohet çdo proces i njëanshëm riorganizimi,c apo ngritje të strukturave lokale të partisë, apo mbledhje të strukturave qendrore të partisë, duke e shtyrë në një kohë të përshtatshme që përcaktohet në përputhje me rregullat e caktuara në këtë dokument.

5 – Grupi Parlamentar ngre një grupi pune të përbashkët për hartimin dhe ndjekjen e zbatimit të planit të detajuar për realizimin e bashkimit të partisë (nga baza në qendër). Grupi i Punës propozon rregullat dhe kalendarin e procesit, si dhe planin e detajuar të riorganizimit të strukturave të partisë nga poshtë-lart, të cilat miratohen në një mbledhje të posaçme të Grupit Parlamentar.

Grupi i Punës i ngritur nga Grupi Parlamentar përcakton strukturat zbatuese të këtij plani ribashkimi. Zbatimi i këtij plani administrohet tërësisht në qendër nga GPPD, kurse në nivel dege dhe ne nivel grupseksioni, realizohet nga grupe pune të përbashkëta të monitoruara nga GPPD. Detyrat e secilit grup, në nivel dege apo grupseksioni, realizohen sipas këtyre hapave konsekutivë:

Hapi 1: Certifikimi i anëtarësisë aktuale, dhe paralelisht me këtë të realizohet hapja dhe pasurimi i anëtarësisë me përfaqësues nga çdo shtresë e shoqërisë që ideologjikisht janë afër vlerave dhe programit të PD. Të përcaktohen kritere dhe procedurë e qartë e identifikimit dhe anëtarësimit.

Hapi 2: Fillimi i procesit të zgjedhjeve në nivel seksioni, grup-seksioni dhe dege. Grupi i punës të shërbejë si filtër i kandidaturave për secilin nivel. Në raste mosmarrëveshjesh, çështja zgjidhet nga GPPD.

Hapi 3: Më pas zhvillohet procesi i zgjedhjes së kryetarit të Partisë. Marrja e propozimeve për kryetar të PDSH, përcaktimi i kritereve të kandidimit dhe filtrimi i kandidaturave të bëhet nga grupi parlamentar me votë të fshehtë. Të drejtën për të kandiduar e ka çdo demokrat [anëtar i PD-së]që plotëson kriteret e përcaktuara, përveç kandidatëve të mundshëm të cilët kanë mbajtur për dy mandate pozicionin e “Kryetarit të PDSH-së”, dhe/ose që nuk kanë fituar në dy Zgjedhje për Kuvend, gjatë kohës kur kanë mbajtur pozicionin e “Kryetari të PDSH-së”.

6- Grupi Parlamentar ngre grupe pune për nisjen e një fushate ndërgjegjësuese në bazë me qëllim bashkimin mes demokratëve, si dhe përgatitjen e partisë për zgjedhjet e ardhshme lokale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë