Nga Anxhela Çelanji-Koeficienti i kriminalitetit në familje në Shqipëri u rrit në vitin 2021. Sipas të dhënave të raportit të Prokurorisë së Përgjithshme atë vit, për 100,000 banorë koeficienti ishte 52,6, ndërsa në vitin 2020 ka qenë 47,51. Ka një rritje prej 10,13 % e numrit të procedimeve të regjistruara.
Sociologia Marsida Simo i shpjegon Gazetasi.al se vrasjet e shumta dhe të pa justifikueshme, që po ndodhin vitet e fundit kundrejt vajzave dhe grave, ajo i lidh me fenomenin “Femicid”.
“Femicid është një term i cili i referohet urrejtjes së bazuar në gjininë femërore, i definuar gjerësisht si “vrasja e qëllimshme e femrave (gra apo vajza) sepse ato janë femra”, shton Simo.
Të dhënat e raportit shpjegojnë se 93 % e të pandehurve janë meshkuj për kriminalitetin në fjalë, ku 1,43 % e përbëjnë të miturit dhe 7 % janë të pandehura femra mbi 18 vjeç.

Simo shpjegon më tej se fenomeni i feminicidit është një sfidë sociale për të gjitha shoqëritë sidomos si ajo e jona ku dominon mentaliteti, por edhe ligji nuk ka fuqinë të parandalojë krimin.
“Problemi më i madh është se ky fenomen gjendet më së shumti i përqendruar brenda shtëpisë. Vrasja nga bashkëshorti aktual, ose ish, i dashuri, përbën të paktën 35% të të gjitha vrasjeve të grave në nivel global”, shton Simo.
“Vrasje të tilla kanë në thelb ndjenjën e pronës gjë që në vendin tonë lidhet tepër me mentalitetin”.
Një tjetër problem që është i dukshëm në shifrat e raportit është edhe edukimi dhe papunësia. Sipas të dhënave rezulton se 53,58 % e të pandehurve janë me arsim deri 9-vjeçar, 40,37 % me arsim të mesëm dhe 6,05 % e të pandehurve me arsim të lartë. Simo shton se qartazi jemi prapa me edukimin. Ajo thekson se ende mungon një edukim i mirëfilltë që në fëmijëri për vajzat dhe djemtë.

Gjithashtu, pjesa më madhe e personave që ndërmarrin një hap të tillë janë 68,8 % të papunë.
Sociologia shton se brezat që po rriten apo janë pjesë e dhunës, me shumë gjasa do prodhojnë dhunë.
“Në mos do e prodhojnë këtë dhunë në mënyrë të drejtpërdrejtë me të tjerët, do të jenë individ që vështirë të kenë një shëndet të mirë mendor. Me rëndësi për këtë situatë është serioziteti i institucioneve përkatëse, në momentin kur raportohet dhuna”.
Duke rikthyer vëmendjen përsëri nga shifrat rezulton se numri më i lartë i procedimeve të regjistruara për vepra penale kundër fëmijëve, martesës dhe familjes, është regjistruar në prokuroritë pranë gjykatës së shkallës së parë, siç janë: Tiranë regjistruar 29 % e numrit total të procedimeve të regjistruara për këto vepra në shkallë vendi, Durrës regjistruar 10 %, Elbasan dhe Vlorë regjistruar 7 %, Fier dhe Berat regjistruar 6 %, e numrit total të procedimeve të regjistruara.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




