Mazhoranca në Kuvend miratoi rezolutën për Entin Rregullator të Ujit, ku në përmbajtja i hapet rruga rritjes së çmimit për qytetarët. Rezoluta u votua me 72 vota pro të socialistëve, pas prezantimit të raportit vjetor për 2021 të ERRU-t para deputetëve.
Në rezolutë, Kuvendi i rekomandon ERRU-t 9 pika në thelb të të cilave është përmirësimi i performancës financiare të ujësjellësave. Kuvendi i bën thirrje Entit që të bashkëpunojë me ujësjellësat dhe me bashkitë që i zotërojnë këto ujësjellësa në këtë drejtim.
“Grantet apo financimet që jepen per ndërmarrjet e ujësjellës kanalizimeve duhet të kushtëzohen me arritjen e objektivave të vëna nga ERRU dhe rritjen e performancës. Është e paparanueshme që megjithë që nga njëra anë investimet e qeverisë në sektorin e UK rriten, dhe nga ana tjetër humbjet (Uji pa të ardhura) për vite me radhë vijojnë të mbeten në nivele tepër të larta, kjo tregon se ka keqmenaxhim të ndërmarrjeve të ujësjellës kanalizimeve”, thuhet në pikën e parë të rezolutës.
Pika 9 ngarkon Entin që së bashku me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellësave të punojë me OSHEE për gjendjen problematike të pagesave dhe detyrimeve për energjinë elektrike.
“ERRU në vijim të Studimit të bërë nga ana e saj lidhur me problematikën e mbulimit të kostove të energjisë për shoqëritë UK të iniciojë një bashkëpunim AKUM-ERRU-OSHEE për të kryer një analizë e thelluar e gjendjes për shoqëritë problematike në drejtim të pagesës së faturës së energjisë elektrike sipas një vlerësimi real të Treguesve Kryesorë të Performancës (TKP), si dhe të firmoset një kontratë performance bazuar në objektiva që synojnë përmirësimin e gjendjes financiare të këtyre shoqërive”, thuhet aty.
Në raportin vjetor të ERRU-t një prej problematikave ku vihet theksi është edhe kostoja e energjisë elektrike. Sipas Entit, pas shpalljes së krizës energjitike, pjesa më e madhe e ujësjellësave kanë dalë në treg të lirë, çka do të thotë se u është trefishuar kostoja e energjisë elektrike për pompimin e ujit.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



