Shendet

A mori fund Covid-19 në Shqipëri?/ Ndryshe nga ç’pritej, nënvariantet e Omicron nuk i shtuan shifrat

Pavarësisht prezencës së nënvariateve të Omicron në vendin tonë, ka një reduktim të rasteve të shtrimeve, infektimeve dhe vdekjeve.
Krahasuar me një vit më parë, shifrat janë ulur ndjeshëm dhe kjo për shkak të imunizimit natyral dhe vaksinimit. Ekspertët e shëndetit publik në ISHP, i kanë thënë vazhdimisht Gazetasi.al se gjatë kësaj periudhe pritet një rënie e shifrave të Covid-19 për shkak të tipologjisë së viruseve.
Shefja e Shërbimit Epidemiologjik në ISHP, Silva Bino, i ka thënë më herët Gazetasi.al se Omicron duhet trajtuar si grip, por duke respektuar rregullat mbrojtëse, si maskat e përgjegjësia duhet të jetë individuale.

Shifrat e vdekjeve gjatë kësaj periudhe në krahasim me një vit më parë kur në Shqipëri ishte prezenca e variantit Alfa.

Ekspertët kanë shpjeguar se në këtë periudhë që ndodhet vendi ynë, duhet të vazhdojë gjithsesi vaksinimi.
Ndryshe nga katër valët e pandemisë së Covid-19 në Shqipëri të cilat ishin me shifra shumë të vrullshme. Në bazë të shifrave për ditët e para të prillit, janë ulur ndjeshëm shifrat. Nëse një vit më parë në spitale, kishte mbi 200 të shtruar, tashmë janë vetëm 7 pacientë. Analiza e të dhënave tregon se prezenca e nënvariantit BA.2 nuk është përkthyer shumë në infektime.

Shifrat e infektimeve gjatë kësaj periudhe në krahasim me një vit më parë kur në Shqipëri ishte prezenca e variantit Alfa.

I pyetur nga Gazetasi.al për transmetueshmërinë e këtyre varianteve, epidemiologu Ilir Alimehmeti, shpjegon se tashmë ka kaluar një muaj dhe përgjigjen e kemi para syve tanë.
“Përderisa janë një muaj më përpara, e kemi një muaj që kemi pak shtrime e raste të reja, do të thotë se nuk ka pasur efekt”, shpjegon eksperti.
Sipas tij BA.1 dhe BA.2 janë shumë të shpejta dhe kurba e hipjes dhe zbritjes së infektimeve ndodh shumë shpejt. Alimehmeti shpjegon se të dhënat tregojnë që periudha e këtyre dy varianteve zgjat 6-javëve.
“Simptoma është shumë e ngjashme me BA.1, ka një gjasë me mendimin që ndoshta mund të ketë pak temperaturë me të lartë BA.2, kështu që pas qëndrimeve zyrtare të shteteve të avancuara, janë njëlloj”, shton mjeku.

Shifrat e shtrimeve gjatë kësaj periudhe në krahasim me një vit më parë kur në Shqipëri ishte prezenca e variantit Alfa.

Më tej eksperti në një status të tij në rrjete sociale ka shpjeguar se jemi gjithnjë e më pranë fundit të pandemisë, për shkak të dobësimit të virusit. Nga shifrat duket se Shqipëria ka koeficientin R më të ulët nga të gjitha shtetet europiane (aktualisht është 4.3). Numri i riprodhimit efektiv (R) është numri mesatar i personave që infektohen (raste dytësore) nga një person i infektuar në një popullatë, ku ka të imunizuar dhe të paimunizuar.
Ekspertët kanë analizuar se edhe nënvariantet e tjera të Omicron janë dukshëm më të transmetueshëm por më pak të rrezikshëm.
Në një intervistë për mediet shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj ka shpjeguar se deri më tani e kemi kaluar më të keqen.
“Do të donim të gjithë që të ishim në fund të pandemisë, por përderisa pandemia ekziston dhe virusi është mes nesh, duhet treguar kujdes. Edhe në vendet e tjera i kemi parë ulje ngritjet e të dhënave të pandemisë”, tha Brataj.
Sipas tij ky sezon turistik parashikohet të jetë më i qetë për faktin se një pjesë e konsiderueshme e qytetarëve e kanë kaluar sëmundjen ose janë vaksinuar. Gjithashtu, Brataj shton se gjithsesi qendrat shëndetësore në zonat turistike do të hapen që në 15 qershor, ku do të kryhen edhe testet e shpejta.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë