Gratë që janë mbipeshë para se të mbeten shtatzënë, kanë më shumë gjasa të kenë fëmijë me astmë, tregon një studim i fundit. Hulumtuesit japonezë zbuluan se nënat që ishin obezë përpara se të ngeleshin shtatzënë kishin 28 për qind më shumë gjasa të kishin një fëmijë të diagnostikuar me astmë para moshës tre vjeç. Gratë që ishin mbipeshë kishin gjithashtu 17 për qind më shumë gjasa, të kishin një fëmijë të vogël me astmë krahasuar me ato me peshë të shëndetshme.
Disa ekspertë kanë treguar se kjo mund të jetë për shkak se, gratë mbipeshë prodhojnë më shumë një hormon të quajtur leptin, i cili mund t’i bëjë rrugët e frymëmarrjes të fëmijës së tyre të palindur më të ndjeshme.
Bashkëautori Emiko Noguchi, nga Universiteti i Tsukuba, tha se këto gjetje kanë rëndësi sepse astma është shpesh një gjendje e përjetshme që mund të ndikojë në jetën e përditshme.
Astma është gjendja më e zakonshme afatgjatë midis fëmijëve në Mbretërinë e Bashkuar, duke prekur rreth një në 11 të rinj. Studimi, me më shumë se 67,000 gra, u botua në revistën “Journal of Alergy and Clinical Immunology”. Pesha e grave para shtatzënisë është marrë nga të dhënat e tyre mjekësore ose një pyetësor. Ndërsa tre të katërtat kishin një indeks normal të masës trupore (BMI), rreth 7 për qind ishin mbipeshë përpara se të konceptoheshin dhe gati dy për qind ishin obezë. Midis fëmijëve, 11 për qind kishin astmë para moshës tre vjeçare. Rreziku më i lartë i astmës tek fëmijët e nënave obeze, krahasuar me ata nga nënat me peshë të shëndetshme, u konstatua edhe pasi u morën parasysh faktorë të tjerë të rëndësishëm.
Studiuesit zbuluan gjithashtu se alergjitë e fëmijërisë ndaj qumështit të lopës dhe vezëve, ishin më pak të zakonshme tek foshnjat e lindura nga nëna mbipeshë. “Gratë duhet të jenë të kujdesshme për peshën e tyre përpara shtatzënisë për të reduktuar rrezikun e tyre për shumë kushte, dhe gjithashtu mund të zvogëlojnë rrezikun që fëmija i tyre të ketë astmë”, tha Noguchi.
Burimi: Daily Mail/ Përshati: Gazeta “Si”
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje