Mjedis

Mikroplastika e pranishme në 90% të produkteve kozmetike

Grimcat mikroplastike janë gjetur në nëntë nga 10 produkte kozmetike të markave kryesore, sipas një raporti të ri.

U analizuan përbërësit në më shumë se 7000 produkte nga marka të njohura, duke përfshirë Garnier, Gillette, Nivea, L’Oréal Paris, Oral-B dhe Head & Shoulders, dhe vetëm 13% e tyre nuk përmbanin mikroplastikë.

Gjetjet vijnë nga Fondacioni Plastic Soup (PSF), një fondacion që bën fushatë kundër ndotjes plastike.

Me buzëkuqët, shampot, kremrat kundër diellit, hidratuesit dhe deodorantët që të gjitha u zbulua se përmbajnë plastikë, PSF po bën thirrje për rregullore më të rrepta për përdorimin e polimereve sintetike.

Aktivistët thonë se idealja do të ishte që të kishte kontrolle më të rrepta për produktet në lidhje me mikroplastikën, përpara se ato të përfundojnë në raftet e dyqaneve gati për blerje.

Në Europë, vlerësohet se afërsisht 3.800 ton mikroplastikë lëshohen çdo vit duke përdorur produkte kozmetike tipike, sipas Agjencisë Europiane të Kimikateve.

Ndikimi mjedisor i mikroplastikës mbetet i paqartë, pavarësisht faktit se ato janë gjetur kudo në botë.

Në fakt, një studim i ri nga Universiteti i Hull-it gjeti mikroplastikë në pjesët më të thella të mushkërive të njeriut.

Aktualisht, ekziston një propozim për të ndaluar “mikroplastikën e shtuar me qëllim”, por PSF thotë se nëse disa përbërës, si polimerët e lëngshëm dhe plastika e tretshme në ujë nuk përfshihen në përkufizimin e “mikroplastikës”, prodhuesit do të lejohen të vazhdojnë t’i përdorin ato. .

Fondacioni po inkurajon konsumatorët që të kërkojnë nga markat e tyre të preferuara të mbështesin një ndalim të plotë të përbërësve mikroplastikë të përdorur në produktet e kujdesit personal dhe kozmetikës.

“Ne kemi punuar që të sigurohemi që produktet tona të kenë sa më pak ndikim në mjedis. Që nga fundi i vitit 2021, të gjitha produktet Nivea kanë qenë plotësisht pa mikroplastikë të ngurtë”, tha një zëdhënës i Nivea.

ai shtoi duke thënë se nuk ka një përkufizim ndërkombëtar detyrues për termin “mikroplastikë”.

“Në Nivea, ne e kuptojmë se mikroplastika janë grimca plastike të ngurta, të patretshme në ujë, që janë pesë milimetra ose më të vogla dhe jo të biodegradueshme. Duke bërë këtë, ne mbështetemi në përkufizimin e vërtetuar të UNEP, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin, duke iu përmbajtur kështu opinionit shkencor të përbashkët”.

Proctor & Gamble, e cila zotëron Head&Shoulders, Gillette dhe Oral-B, i tha The Times se përbërësit e identifikuar nga PSF në produktet e saj nuk klasifikoheshin si mikroplastikë në rregullore sepse ishin të lëngshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë