Gazeta Si – Korrupsioni në doganën e Morinës në Kukës, ku policët merrnin ryshfet për kalimin e qytetarëve dhe mallrave në mënyrë të paligjshme, është dokumentuar në dhjetëra raste nga Prokuroria e Posaçme.
Për më shumë se 1 vit, kabinat ku qëndronin punonjësit e policisë Kufitare në Morinë, u mbajtën në vëzhgimin e SPAK me anë të kamerave.
Përgjimet treguan se efektivët, turn pas turni merrnin vlera monetare të ndryshme për të lejuar kalime të paligjshme të qytetarëve.
Ato nisnin me 5 euro për raste të qytetarëve të cilët kishin probleme me mjetet e identifikimit, i kishin të dëmtuara, apo nuk kishin teste Covid 19.
Si dhe me vlera monetare prej 50 eurosh, por edhe shumë raste të tjera të lejimit me vetëdije të personave me probleme me ligjin, apo të kontrabandës kryesisht të automjeteve.
Nga përgjimet, jo vetëm audio, por edhe me kamera, në komunikimet që efektivët kanë pasur me njëri-tjetrin, SPAK thotë se korrupsioni nuk ishte individual, por kartëmonedhat mblidheshin në të njëjtin vend për t’u shpërndarë më pas.
Në përgjimin e mëposhtëm, në kabinën ku ende është duke punuar punonjësi i policisë Fatri Braha, paraqiten disa shtetas nga Kosova. Biseda e zhvilluar midis tyre dhe punonjësit të policisë, për aq sa kuptohet është si më poshtë:





Përgjimi 1
Polici: Ti je Arsimi eee?
Shtetasi kosovar: Po.
Polici: Si e ke emrin ti?
Shtetasi tjetër kosovar: Bajrush…. Dokumenti ka mbaru krejt
Polici: A jeni tre veta?
Shtetasi kosovar: Katër jemi
Polici: Hape krahun pak uli xhamat se je me xhama të zi … ma jep dokumentin ti
Shtetasi kosovar: E ka harru
Polici: Shko merre qa ku e ki …. A e di familja qe ka ik
Shtetasi kosovar: E di
Polici: A keni bo vaksina ju? Testin?
Shtetasi kosovar: Po e kemi
Polici: Po ata mbrapa?
Shtetasi kosovar: Jo vaksinat i kena krejt të tre
Polici: Njoni se ka as dokumentin as atë
Shtetasi kosovar: Për një kafe …
Shtetasi kosovar: Deri te ditëlindja e axhës. Hajt faleminderit (momenti kur marrin dokumentet dhe lejohen të hyjnë në Shqipëri.)
Ajo që konstatohet, është se në mungesë të testeve Covid-19 dhe për shkak se njeri prej shtetasve nuk disponon dokumente udhëtimi, Fatri Braha në formë presioni, iu kërkon shtetasve ryshfet, kërkesë për të cilën ata bien dakord në këmbim të lejimit të udhëtimit për në Shqipëri.
Nga verifikimi në sistemin TIMS, rubrika hyrje shtetas të huaj, rezulton se në këtë interval kohor, nga punonjësi i policisë Fatri Braha janë përpunuar dokumentet e shtetasve kosovarë A.J , B.H. i cili është edhe drejtues automjeti me të cilin udhëtojnë të katërt shtetasit e autoveturë, si dhe B.Z.
Pasagjeri i katër nuk rezulton të jetë i regjistruar në sistemin TIMS, duke argumentuar kështu edhe marrjen e ryshfetit nga punonjësi i policisë Fatri Braha
Përgjimi 2 për kontrabandën
Shtetasi: Du me ik prapë për në Gjermani, në Hungari ….
Polici: Po
Shtetasi: A je në rregull. Du me ik prapë atje se kam makinë tjetër për të sjell. A e shef dot ti a duket gjë
Polici: Janë hi shumë makina or djalë. Sa makina ke pru në Shqipëri ti? Po s’lejohet mbi tre makina or mik.
Shtetasi: Po si s’lejohet o
Polici: 1.2.3.4.5.6 çi ke këto makina vari ..
Polici: Ke ndonjë gjë në makinë?
Shtetasi: Urdhëro?
Polici: Në makinë ke ndonjë gjë që nuk lejohet? Do qesësh kafe….. apo nuk ke gjë?
Pas bisedës me këtë shtetas, dy efektivë policie diskutojnë në kabinë për rastin, teksa qytetari fut dokumente me një vlerë prej 10 euro brenda. Rezulton se ky shtetas dhe i afërmi i tij kanë futur në Shqipëri shumë makina pa i zhdoganuar.
“Është nusja e një shoku”, si u ndihmua Zajmina Vasjari të kalojë në kufi
Në një episod të përgjimeve të SPAK, protagoniste është edhe këngëtarja Zajmina Vasjari.
Sipas ligjit, për të kaluar doganën me fëmijë të mitur, duhet të kesh një prokurë nga secili prej prindërve që e shoqëron, por me ndihmë të policëve të korruptuar, kjo u bë krejt e thjeshtë për artisten, e cila i ka kaluar fëmijët e saj në kufi pa prokurën e posaçme.
Në dosjen e Prokurorisë, theksohet se datën 02.01.2022, ora 10:57, në aplikacionin “Whatsapp”, shtetasi i regjistruar me emrin “Tani Durrës” i thotë policit Leart Sulos me sms: “…..është nusja e një shoku të ngushtë me kalamajtë aty në Morinë, po s’ka prokurë, Zajmina Vasjari.
Leart Sulo: Kur do kthehet?
Tani: Ja ta pyes… dy ditë, datë 4 ka kthim…
Learti: Ok, çfarë makine ka ose jepi nr. tim të flas me të…
Tani: “Renxh Rover”, ‘AA001UD’…
Learti: Ok.
Menjëherë më pas, ora 11:00, Leart Sulo ia kalon me mesazh targën e automjetit të shtetases si porosi për ta ndihmuar punonjësit të policisë, Emilton Asllanaj, me detyrë përgjegjës turni në pikën pufitare Morinë, duke i thënë:
Laert Sulo: Ndihmoje pak, është duke ikur për në Kosovë, duhet ta njohësh, Zajmina Vasjari…
Emiltoni: Jepi nr. tim
Nga verifikimi në sistemin TIMS, del se Zajmina Vasjari ka kryer dalje nga Republika e Shqipërisë në datë 02.02.2022 dhe ka hyrë në datë 04.02.2022, duke kaluar kufirin me mungesë dokumentacioni Prokurore për fëmijët e mitur, duke u favorizuar dhe ndihmuar nga punonjësi i policisë, Emilton Asllanaj, kundrejt porosisë të marrë nga shefi i stacionit, Leart Sulo.
Po ashtu, nga verifikimi në sistemin TIMS rezultojnë të regjistruar edhe dy fëmijët e saj të mitur.
Një ditë më parë, GJKKO në një seancë që zgjati rreth 5 orë, ka vendosur që të lërë në fuqi masat e SPAK, ku 15 efektivë u lanë në ‘Arrest me burg”, 14 në “arrest shtëpie”, ndërsa 4 të tjerë u pezulluan nga detyra.
Gjatë seancës pala mbrojtëse i ka kërkuar GJKKO që të shpallë moskompetencë për këtë çështje dhe dosja t’i kalojë Prokurorisë së Kukësit, por që nuk është pranuar.
Nga hetimi janë dokumentuar 312 episode të veprimeve korruptive të punonjësve të policisë, të cilët favorizonin persona të ndryshëm për futjen e mallrave kontrabandë; persona që trafikonin automjete, sende të tjera të kundraligjshme; ndihmonin për të kaluar kufirin persona të ndryshëm me problematika ligjore për hyrjen dhe daljen e tyre ne vendet e BE-së, sa i përket regjistrimeve fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar; si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



