Drejtësia

Ryshfet në kufi, Apeli i GJKKO-së rrëzon ankimimin e policëve të Morinës

Gazeta Si - Apeli i GJKKO-së ka vendosur të rrëzojë ankimimin e policëve të Morinës, të cilët u arrestuan për korrupsion dhe shpërdorim detyre rreth një muaj më parë.

Pavarësisht kërkesës për një masë më të butë sigurie, Gjykata e Posaçme ka vendosur t’i lërë në burg, duke konfirmuar vendimin e shkallës së parë.

Më 10 prill, GJKKO konfirmoi masën arrest me burg për 16 policë, arrest shtëpie për 12 të tjerë, pezullim detyre për 4 efektivë, dhe masën arrest shtëpie për dy qytetarë.

SPAK njoftoi se ndaj tyre kishte nisur një hetim që në nëntor të vitit 2020 për Korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike.

Gjatë hetimit u faktuan 312 raste të korrupsionit, kontrabandës me mallrat e akcizës, dhe lejim për kalim të paligjshëm të kufijve.

Policët janë mbajtur në përgjim për një periudhë të gjatë kohore gjatë së cilës janë konstatuar rastet të shumta korruptive, duke detyruar shtetas shqiptar dhe të huaj që të paguanin shuma të ndryshme parash për kalimin nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.

Por edhe kanë kryer regjistrime fiktive për hyrjen dhe daljen në territorin shqiptar, si dhe ndihmonin persona të tjerë që kishin probleme me ligjin, të cilët nuk regjistroheshin në sistemin TIMS, pasi nuk lejohej udhëtimi i tyre për në Kosovë dhe anasjelltas.

Nga 34 masat e ekzekutuara, 32 i përkasin policëve të Policisë Kufitare të Kukësit, duke përfshirë edhe Drejtorin e kësaj Drejtorie.

Ai akuzohet për “Shpërdorimi detyre”, “Korrupsion pasiv në bashkëpunim,  dhe Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike.

Policët shqiptarë, i merrnin qytetarëve minimalisht deri në 10 euro, të cilat i ndanin më pas me njëri-tjetrin në fund të turnit. Ndërsa fitimet ndërmjet tyre arrinin deri në 8.000 euro në ditë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë