Qeveria ka gati draftin për amnistinë fiskale, që u hodh për konsultim publik që në 2020 me arsyetimin e dhënë në relacion se do t’i jepte një ndihmë të fortë ekonomisë së vendit pas dy goditjeve, tërmetit dhe pandemisë.
E risjelllë në diskutim nga ana e Kryeministrit Edi Rama pas përfundimit të procesit të këshillimit kombëtar, dy arsyetimeve të mësipërme u shtohet edhe një i tretë; ai i krizës së çmimeve shkaktuar nga rritja e kërkesës post-pandemi dhe lufta në Ukrainë.
“Është e nevojshme që vendi, pas kapërcimit të dy eventeve tronditëse të ekonomisë, si tërmeti i vitit 2019 dhe pandemia botërore për shkak të COVID-19, të mund të rimëkëmbet, ndër të tjera, duke zyrtarizuar tregun real të saj. Ky objektiv është i vështirë pasi duhet të mbajë në vëmendje edhe zbatimin me përparësi dhe eficencë, kjo pa dështuar në objektivat e saj ndaj luftës kundër trafikimit të të gjitha llojeve dhe luftës kundër korrupsionit në çdo nivel”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.
Amnistia fiskale e penale parashikohet, sipas projektligjit në fjalë që të zgjasë një vit dhe ajo nuk do të jetë krejtësisht falas. Në projektligj parashikohet një tatim i posaçëm në varësi të kohës së vetëdeklarimit të pasurive ‘ilegale’.
Tatimi i posaçëm është konceptuar si nxitje për vetëdeklarim për të gjitha subjektet e ligjit, ku në 4 muajt e parë ata duhet të paguajnë 5 për qind të shumës totale të deklaruar gjatë katër muajve të parë pas hyrjes në fuqi të ligjit, 7 për qind nëse deklarimet i bëjnë në katër muajt e dytë dhe 10 për qind nëse deklarimin e bëjnë në katër muajt e tretë të hyrjes në fuqi të ligjit.

Për zbatimin e këtij ligji do të ngrihet një njesi e posaçme pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. Në krye të saj do të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve. Nga amnistia përfitojnë edhe të ardhurat që emigrantët shqiptarë kanë të padeklaruar në vendet ku jetojnë dhe punojnë. Procedura për legalizimin e këtyre pasurive kërkon që ata të kenë, ose hapin një numër llogarie bankare në Shqipëri dhe t’i riatdhesojnë këto të ardhura.
Këtij parashikimi në projektligj i referohet Kryeministri Edi Rama kur thotë se ka ardhur koha që sektori bankar shqiptar të zhvillohet sipas sektorëve të tjerë të ekonomive të tregut të lirë.
Projektligji përjashton nga amnistia fiskale dhe penale të dënuarit me vendim të formës së prerë dhe të gjithë zyrtarët që janë subjekte të vetëdeklarimit të pasurive pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive.
Gjithashtu, dispozitat e ligjeve për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë dhe atij për rivlerësimin e pasurive të paluajtshme kanë përparësi ndaj parashikimeve të projektligjit për amnistinë fiskale dhe penalë.
Përveç reagimit ndërkombëtar, që në të shkuarën ka qenë kundër amnistisë, një pengesë tjetër për kalimin e këtij projektligji është edhe shumica e cilësuar prej 84 votash që ai kërkon për miratim, vota që Partia Socialiste nuk i ka e vetme.
I pyetur gjatë një interviste televizive, Kryeministri Edi Rama u shpreh optimist se do t’i sigurojë votat e nevojshme për ta kaluar atë në Kuvend, ndërsa përçoi edhe një mesazh për partnerët ndërkombëtarë.
“Do ta bëjmë amnistinë fiskale, sepse siç e patë është edhe dëshira e një shumice të popullit shqiptar. Komuniteti ndërkombëtar kundër? Nuk është komuniteti ndërkombëtar që do të ndërtojë Shqipërinë. Ka ikur koha kur Shqipëria ishte vasale. Ne këtu jemi në vendin tonë dhe kemi të drejtën që paratë e djersës dhe të gjakut t’i legalizojmë. Do t’i gjejmë 84 votat, do t’i gjejmë në Parlament”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



