Para

BE dyshon tek amnistia fiskale

Përfaqësia e Bashkimit Europian në Tiranë publikisht ka qortuar me një gjuhë të kujdesshme dhe të moderuar nismën e mazhorancës për amnistinë fiskale dhe penale, me anë të së cilës Qeveria synon që të nxisë vetëdeklarimin e pasurive dhe kapitalit informal, duke shtuar kështu edhe të ardhurat.

Por, jozyrtarisht gazeta “Si” mëson se delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë është shfaqur me shumë rezerva ndaj projektit të Qeverisë, duke ngritur një sërë shqetësimesh në lidhje me parashikimet e tij.

Burime të gazetës “Si” pohojnë se për këtë qëndrim të zyrës së Bashkimit Europian në Tiranë është vënë në dijeni plotësisht, ose pjesërisht për përmbajtjen e dokumentit zyra e Kryeministrit, Ministria e Financave, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Brendshme dhe Ministria e Infrastrukturës.

Në këtë dokument, delegacioni i BE-së vëren me shqetësim disa çështje, që nga mundësia që projektligji të sigurojë mosndëshkim për subjektet që zotërojnë pasuri të vendosura nga aktivitetet kriminale, e deri tek mundësia e pastrimit të parave të pista dhe formalizimin e aseteve të krimit.

BE thotë se drafti nuk është konsultuar me grupet e interesit dhe shoqërinë civile dhe ngutja e qeverisë për ta miratuar nuk justifikohet. Po, ashtu, delegacioni i Bashkimit Europian vëren se qëllimi dhe zgjerimi i amnistisë shkon përtej nismave të ngjashme të ndërmarra në vende të tjera dhe i sugjeron Qeverisë shqiptare që të përqëndrohet vetëm tek evazioni fiskal i kryer nga persona që jetojnë në Shqipëri dhe jo jashtë saj.

Zyra e BE-së parashikon edhe vështirësi në zbatimin e këtij ligji, pasi siç vë re nga shqyrtimi i draftit, aty përfshihen elementë që nuk kanë të bëjnë vetëm me pronat e patundshme në Shqipëri, por edhe jashtë Shqipërisë, si paratë cash të mbajtura në një vend tjetër me një valutë tjetër, monedha virtuale, apo sende të tjera me vlera relativisht të larta të padeklaruara.

BE thotë se është e vështirë që të përcaktohet se burimi i këtyre aseteve në një vend tjetër nuk është aktiviteti kriminal, po ashtu është e vështirë të përcaktohet nëse janë apo jo të deklaruara në vendin përkatës, apo që personi, apo personat zotërues nuk janë subjekt i një takse deklarimi në vendet ku jetojnë.

Bashkimi Europian sheh me rezerva edhe parashikimin që mundëson transfertat e parave në cash edhe fizikisht jashtë sistemeve ndërkombëtare bankare. BE thotë se kjo rrezikon që të shfrytëzohet në rastin më të mirë për evazion fiskal dhe në rastin më të keq për pastrim parash nga grupet kriminale.

BE thotë se projektligji ka shkaktuar paqartësi tek bankat për mënyrën sesi do të zbatohet ligji kundër pastrimit të parave në kontekstin e kësaj amnistie dhe po ashtu thotë se edhe vetë funksionimi i njësisë që parashikohet të ngrihet për zbatimin e saj është i paqartë.

Në dokument, BE këshillon që para amnistisë Shqipëria të ngrejë një administratë fiskale profesionale, që do të bllokonte çdo mundësi për pastrimin e parave dhe të luftontë korrupsioni dhe sugjeron që në mënyrë që nisma të jetë e besueshme dhe për të shmangur konkurrencën e pandershme me ata që kanë mbajtur asetet e tyre për vite me radhë jashtë sistemit, amnistia fiskale duhet të shoqërohet me një përforcim ndëshkimesh për taksapaguesit që nuk bashkëpunojnë me autoritetet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë