Kombetarja

Belgjika shumë e fortë, Shqipëria e futbollit të femrave pëson 5 në Elbasan

Gazeta Si – Asgjë për t’u mbajtur mend nga vajzat kuqezi, as goli i nderit. Belgjika është shumë e fortë dhe edhe sot ka fituar pa problem ndaj Kombëtares sonë të femrave, me rezultatin 0-5, në ndeshjen e radhës kualifikuese të Botërorit.

Deri në minutën e 37-të zgjati rezistenca e skuadrës së drejtuar nga trajneri Armir Grima. Më pas erdhi dorëzimi. Brenda 6 minutash belget shënuan 3 gola, duke vendosur në ‘kasafortë’ fitoren. De Caigny shënoi dy herë dhe mes golave të saj shënoi edhe Vulaert. Po kjo lojtare do të shënonte edhe golin e 4-t në pjesën e dytë, kurse Blom vulosi rezultatin në 0-5.

Nga nje ndeshje e meparshme e vajzave kuqezi. Gazeta Si, 7 prill 2022

Shqipëria mban vendin e 4-t në Grupin F të kualifikueseve, me 7 pikë. Ky grup udhëhiqet nga Norvegjia me 19 pikë dhe Belgjika me 17 pikë. Vajzat kuqezi kanë lënë pas Kosovën me 4 pikë dhe Armeninë me 0 pikë pas 7 ndeshjesh. Po sot Kosova u mund 5-1 nga Norvegjia.

Trajneri Armir Grima e nisi ndeshjen me këtë formacion: Viona Rexhepi, Alma Hila, Arbenita Curraj, Sara Maliqi, Endrina Elezaj, Qëndresa Krasniqi, Megi Doçi, Markela Bejleri, Luçie Gjini, Ezmiralda Franja, Kristina Maksuti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë