Ngjarje

Gjesti i madh i Nadal, vullnetar për të pastruar vendin nga balta

Njerëzit e mëdhenj bëjnë gjeste të mëdha. Rafa Nadal, numri 1 i botës në tenis, ka bërë një gjest të madh në Maiorka, ku ka lindur dhe jeton. Vendi është përfshirë nga përmbytjet e tmerrshme, që kanë shkaktuar edhe dhjetëra të vdekur dhe tenisti i madh spanjoll ka veshur çizmet dhe ka dalë në rrugë vullnetarisht për të pastruar baltën.

Kolegët e tij janë të impenjuar në turneun e Shangait në Kinë, ku në lojë janë shumë para dhe mbi të gjitha shumë pikë, që vlejnë për klasifikimin e përgjithshëm. Nadal nuk shkoi në Kinë për shkak të një problemi në gju, por fati ndoshta e deshi që në ditë kaq të vështira të ishte në vendin e tij. Palma di Maiorka është mbuluar nga balta nga përmbytjet-rrufe në Baleari. Shifra e viktimave pritet të rritet, për fat të keq, pasi rezultojnë shumë persona të zhdukur.

Rafael Nadal, duke pastruar një ofiçinë nga balta 

Rafael Nadal është shumë i lidhur me vendin e tij dhe këtë e ka treguar gjithmonë. Tenisti i famshëm është fotografuar nga një fans i tij, teksa shfaqet duke ndihmuar një mekanik në San Lorenc. Fotoja ka përfunduar në rrjetet sociale dhe Rafa menjëherë ka trefishuar ndjekësit kudo në botë. Është vërtet e rrallë në kohët e sotme të shohësh një sportist të nivelit botëror, numrin 1 në tenis, që të bëhet pis, të veshë çizmet dhe të pastrojë një ofiçinë të mbushur me baltë. Me një postim në Instagram, Nadal kishte shprehur mbështetjen e tij për popullin e Maiorkës, duke shkruar: “Një dritë e trishtë për Maiorkën, ngushëllimet e mia të përzemërta janë për familjet e viktimave dhe të të plagosurve nga përmbytjet në San Lorenc. Strukturat tona të “Rafa Nadal Academy” janë në dispozicion të atyre që kanë nevojë për akomodim”.

https://www.instagram.com/p/Bovn8Yknm6B/?utm_source=ig_web_copy_link
Postimi i Nadal pas përmbytjeve

Nga fjalët, te veprat. Akademia e tij në Manacor ka strehuar aktualisht rreth 50 persona. Duhet thënë se shpesh sportistët e nivelit të lartë janë treguar shumë të ndjeshëm ndaj vendeve të prekura nga fatkeqësitë natyrore. Për të mbetur te tenisi, një tjetër shembull është ai i Novak Gjokoviç, i cili dhuroi gjithë fitimet e tij nga turneu i Romës për familjet e viktimave nga përmbytjet në Serbi. Disa muaj më parë bëri bujë lajmi për basketbollistin spanjoll Pau Gasol, i cili doli vullnetar me anijet e shpëtimit të emigrantëve në Mesdhe.

Përgatiti: Fatjon Rupi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë