Irena Beqiraj

A mundet Partia Socialiste të transformohet nga një grupim Klonesh në një grupim Rebelësh, me debat idesh?


Një kongres me debat konstruktiv,  lajmëroi Kryeministri. A mund të ndodhë kjo ?

Mënyra se si ne e shikojmë botën, sesi sillemi edhe si veprojmë formësohet  nga kultura.  Kjo do të thotë se të gjithë e ne perceptojmë dhe interpretojmë botën përmes kornizave  referuese te saj. Që t'i shohim aq më shumë t'i ridimensionojmë kornizat që përcaktojnë kulturën tonë është një nga proceset më të vështira . 

Edhe një kongres me debat konstruktiv, kërkon të ekzaminohet dhe të ridimensionohet kultura brenda partisë. Thënë ndryshe lipset që në atë  sallë të mblidhet një grupim "rebelësh ", ndërkohë asgjë nuk ka ndryshuar, edhe në atë sallë si çdo herë do të mblidhet një grupim "Klonesh".

Ndërsa për kulturën partiake, rebeli barazohet me mosmirënjohësin dhe "Kloni" lexohet si i paditur, të dyja janë barazimet të gabuara.  Rebelin nga klonin nuk i dallojnë  njohuritë, mençuria, talenti, apo mirënjohja,  por moskonformizmi ose mendimi ndryshe.

Natyra njerëzore që në thelb është hierarkike, e pengon debatin konstruktiv brenda grupit, por në parti hierarkia është paprekshme. Anëtarët e partisë tanimë janë mësuar me takime ku një ose maksimumi 2 persona përcaktojnë edhe "mendimin" e të tjerëve.  Nuk ka nevojë për ndonjë aftësi të madhe intelektuale, për të vëzhguar komunikim jofunksional partiak , ku edhe anëtarët e forumeve të larta, nuk janë në gjendje të thonë atë që ata mendojnë. Ata ose duhet të jenë të vëmendshëm të qëmtojnë ndër ato që lideri dëshiron të dëgjojë, ose duhet të heshtin. Anëtarët Kryesisë, Asamblesë, Kongresit dështojnë të ndajnë informacione apo ide thelbësore, sepse ata nuk duan dhe nuk mund ta përballojnë etiketimin si  mosmirënjohës ose përçarës.  Madje njohja e mirë gjendjes dhe konformizmi me të, e bën edhe më  të vështirë ndryshimin  nga brenda.

A ka munguar kongresi apo kongreset për t’u njohur edhe për të treguar vëmendje ndaj mendimit ndryshe brenda të majtëve? Kam frikë se jo. Sot aksesi në informacion, opinione besime dhe ide është i plotë për këdo, në çdo moment. Por ndërsa lënda e parë për debat është e bollshme dhe shpesh e cilësisë së parë brenda partisë janë krijuar "Dhomat e Echos" ku burimet e mendimit ndryshe diskreditohen, injorohen sistematikisht.

Çfarë duhet të  ndryshojë  që një parti  të shndërrohet qoftë edhe një herë të vetme, qoftë edhe  në një Kongres  nga një skuadër klonesh në një skuadër rebelësh ku përplasen dhe diskutohet ide? Pikërisht karakteristikat e liderit janë kyçe në transformimin e skuadrave. Skuadrat e rebelëve drejtohen nga liderë transformues, ndërsa ato te kloneve mjaftohen me liderë dominues . Një  lider transformues dëgjon, shpjegon idetë tërësisht, ndan informacione dhe shfaq ndjeshmëri  të lartë, për të forcuar mbi të gjitha  besimin e njerëzve që  mendojnë ndryshe nga ai.  Një lider i tillë për zgjidhjen e problemeve komplekse pranon në tavolinë të debatit "kundërshtarët e ideve të tij". Një lider dominues e rrethon veten me njerëz që konfirmohen dhe mendojnë si ai, ose njerëz të thjeshtë për t’u menaxhuar apo për t’u mbajtur brenda rrethit. Eksperienca ka treguar se dominimi dhe qëndrimi i gjatë në pushtet vrasin mendimin ndryshe duke transformuar edhe ekipet më rebele në ekipe klonesh .

Gjithsesi, nuk duhet menduar që liderët dominues nuk i hynë në punë as dreqit. Ato janë organizues shembullor, ekzekutues ekselent planesh, dhe inxhinier elektoral të mrekullueshëm. Por për zgjidhjen e situatave komplekse, hartimin e strategjive, gjetjen e mënyrave të reja të zhvillimit, për transformimin  lipsen liderë që janë në gjendje të dëgjojnë dhe reflektojnë mbi  këndvështrimet e ndryshme . Kohët që po jetojmë kërkojnë transformim dhe dominimi i lidë ravë në këto kohëra është katastrofik.

 E ndërsa  kongresi i Partisë Socialiste na premton debat  idesh dhe kritikë konstruktive,  besimplotë mund të themi "më mirë vonë sesa kurrë", por pa ridimensionuar kornizat referuese të sjelljes brenda grupit  asgjë nuk ka për të ndodhur, kurrën e kurrës.


Copyright © Gazeta “Si”