Shendet

Alergjitë stinore/ Mjekja Asllani: Janë shtuar rastet te fëmijët dhe adoleshentët

Alergjitë stinore ashtu si edhe alergjitë e tjera, zhvillohen kur sistemi imunitar i trupit bëhet i ndjeshëm dhe reagon ndaj substancave që ndodhen në mjedis. Duke nisur nga kjo, prilli kru nis edhe ndryshimi i kohës, është një muaj i favorshëm për të rikthyer alergjitë.
Mjekja alergologe Julijana Asllani, njëkohësisht pjesë e Shoqatës së Alergologëve, e pyetur nga Gazetasi.al shpjegon se prevalenca e sëmundjeve alergjike ka një trend në rritje në të gjithë globin, sidomos në vendet e industrializuara.

Mjekja alergologe Julijana Asllani

“I njëjti trend vërehet edhe në vendin tonë me një shtim të rasteve që paraqiten për konsultë tek mjekët alergologë nga viti në vit. Vërehet një shtim i prevalencës se alergjive sidomos në moshat pediatrike pra fëmijët dhe adoleshentët. Prindërit duhet të jenë mjaft të kujdesshëm për të vlerësuar simptomat e fëmijëve të tyre pasi shpeshherë mund t’i ngatërrojnë me ato të një virozë stinore”, shton Asllani.
Mjekja tregon se sëmundjet alergjike më të shpeshta që zënë edhe peshën kryesore të vizitave janë riniti alergjik (ose e njohur ndryshe edhe si rrufa alergjike) dhe astma bronkiale. Duke u shprehur me shifra riniti alergjik prek rreth 10-30% të popullatës së përgjithshme, ndërsa astma ka një prevalencë më të ulët.
“Shkaktarët e tyre janë një kompleks faktorësh, gjenetikë, ambientalë. Në thelb, alergjitë janë një manifestim i përgjigjes së sistemit imunitar, përkundrejt ekspozimit ndaj substancave të ambientit të njohura si alergenë. Mund të shfaqen me shenja si: teshtima, bllokim apo rrjedhje të hundëve, lotim kruarje dhe skuqje të syve ose edhe me kollë, vështirësi në frymëmarrje apo edhe fishkëllima në kraharor”, shton më tej mjekja.

Më tej mjekja shpjegon se alergenët kryesorë përgjegjës të rrufës apo astmës janë polenet e pemëve, barërave dhe shkurreve (përgjegjëse për alergjitë sezonale), akarienet (ose pluhuri i shtëpisë), epiteli i kafshëve, myku (që janë përgjegjëse për alergjitë gjithëvjetore).
Sipas të dhënave shkencore reaksioni alergjik mund të variojë nga një gjendje thjesht e bezdisshme deri në një kërcënim për jetën. Disa alergji janë sezonale, por ka të tjera që janë të lidhura me gjendje shëndetësore kronike të vështira.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë