Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) ka rishikuar me ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike të Shqipërisë për vitin 2022, nga pasojat që sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës do të japë në prodhimin e brendshëm bruto sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës.
Sipas BERZH, ekonomia e Shqipërisë pritet të zgjerohet me 3.3% në vitin 2022, duke u ulur me 0.4 pikë përqindje, në krahasim me projeksionin e muajit nëntor.
BERZH parashikon që në vitin 2023, produkti i brendshëm bruto (PBB) i Shqipërisë të rritet me me 3.5%, sipas raportit të Përditësimit Ekonomik Rajonal, i cili trajton efektin e luftës ndaj Ukrainës në ekonominë globale.
Parashikimi i rritjes ekonomike të bankës për vitin 2022 për rajonin e Ballkanit Perëndimor u ul me 0.9 pikë përqindjeje në 3.2%.
Sipas BERZH, të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor do të ndikohen negativisht nga çmimet më të larta të naftës, disa nga rritja e çmimeve të gazit.
Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria është më e ekspozuar se të tjerat ndaj rritjes së çmimeve të energjisë elektrike pasi importon një sasi dukshëm më të lartë të energjisë sesa eksporton, tha BERZH.
Ballkani Perëndimor mund të ndikohet indirekt nga një recesion më i gjerë europian dhe global, duke pasur parasysh ndërlidhjet e ngushta midis ekonomive të Ballkanit Perëndimor dhe eurozonës, veçanërisht në sektorin automotiv ku Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnja dhe Hercegovina mund të jenë më të goditurat.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.