Politike

Pse dorëzimi i Alqi Bllakos nuk solli asnjë dobi për publikun, por vetëm për PS

Alqi Bllako nuk u paraqit personalisht në kryesinë e Kuvendit për t’i dorëzuar mandatin e deputetit kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, pas një kërkese ndaj tij nga SPAK për ta arrestuar, për shpërdorim detyre.

Ai shmangu interesin e madh të medias që e prisnin jashtë dyerve të Kuvendit, hartoi një letër me pak fjali për t’i hapur ”rrugën e pakushtëzuar drejtësisë” dhe e postoi brenda ditës në zyrën e protokollit të Kuvendit.

Ky nuk ishte lajm i ri përveç shmangies ndaj medias.

Alqi Bllako e paralajmëroi dorëzimin e mandatit një ditë më parë, atëherë kur Lindita Nikolla njoftoi mbledhjen (sipas rregullores) të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për të shqyrtuar kërkesën e SPAK.

Lindita Nikolla shpërndau një urdhër për mbledhjen e Këshillit, por nuk i bashkëngjiti urdhrit, dosjen voluminoze ndaj Alqi Bllakos për deputetët anëtarë të Këshillit të Mandateve.

Deri të mërkurën në mbrëmje secili prej tyre kishte në dore vetëm njoftimin e thatë të SPAK. Dosja mungoi.

Siç munguan edhe argumentet që kishin përgatitur anëtarët e opozitës në Këshill për prokurorët e SPAK (të detyruar të raportonin mbi rastin “Bllako”) se pse ishin përdorur dy standarde për të njëjtin rast.  

“...Me materialet voluminoze në mbështetje të kërkesës anëtarët kanë të drejtë që të marrin sqarime nga SPAK nëse për të njëjtin fakt, X është proceduar dhe kërkohet arrestimi dhe për fakte të njëjta Y jo. Pse na u bëka kurban njëri, ndërkohë që për të njëjtin fakt nuk është Armando Subashi, Engjëll Agaci, Edi Rama, nuk u ndodh asgjë”, tha Enkelejd Alibeaj, cili njoftoi se kishte paraqitur një kërkesë në emër të pesë anëtarëve të PD-se që të mblidhte këshillin, kërkesë që më pas u refuzua nga Nikolla me argumentin se procedura quhej e përfunduar në momentin që Alqi Bllako dha dorëheqjen nga mandati.

Në fakt dorëzimi i mandatit të Alqi Bllakos, përpos një efekti të imponuar në opinionin publik se socialistët janë “të gatshëm” para drejtësisë, ka një efekt dobiprurës dhe konkret për PS-në.

Fillimisht Edi Rama nuk humb asnjë mandat deputeti.

Në një situatë tjetër, nëse Këshilli i Mandateve do të mblidhej, ai organ  do të mund të votonte vetëm për heqjen e imunitetit dhe jo mandatit që Bllako do të mund të gëzonte deri në një vendim të formës së prerë nga gjykata. Deri atëherë, Edi Rama në Kuvend do të kishte një deputet më pak.

Me dorëzimin e mandatit nga Bllako, PS-ja nuk ndryshon numrat dhe pas tij në Kuvend do të futet Pandeli Majko sipas renditjes në listë.

Dorëheqja e Alqi Bllakos nuk është gjë tjetër veçse një rikonfirmim numrash në Kuvend dhe mbi të gjitha mbyllje e debatit konkret për inceneratorët. Sepse inceneratorët nuk janë vetëm një çështje e Bllakos, por shumë më shumë deri në nivele qeveritare.

Mos hapja e këtij diskutimi e aq më shumë mos vënia në dorë e dosjes së plotë nga SPAK për deputetët për një çështje që vlon, është një hall më pak për kryeministrin Edi Rama, por aspak një mundësi për ta shitur se kur bëhet fjalë për të drejtën, socialistët ngrenë duart lart.

Dorëheqja e Alqi Bllakos ishte një lëvizje e mirëmenduar për Ramën dhe të vetët që në rastin më të mirë e shmang mazhorancën nga një debat i hollësishëm, transparenca, dalja e fakteve të reja që shumëkush prej nesh as nuk i di e madje as deputetët, dhe kërkese llogarie nga opozita për SPAK për emra që lakohen (në nivele më të larta se Bllako) që kanë firmosur në dosjen e inceneratorëve.

Dorëzimi i mandatit nga Bllako do të shërbejë si precedent për ndonjë tjetër deputet në të ardhmen, ku ndryshe nga Saimir Tahiri të cilit pesë vjet më parë iu hapen letrat përmes një dosje mbi 400 faqesh në mbledhjen e Këshillit të Mandateve, kësaj here, gjithçka do të mbyllet pa filluar.  

Rasti “Tahiri” ku dorëzimi i mandatit nga ish-Ministri i Brendshëm u bë vetëm një vit më vonë nga diskretitimi i tij në Këshill ishte një mësim i mirë për PS-në dhe njerëzit e saj... Tani letrat duhen mbyllur ende pa u hapur.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë