Fatjon Rupi – Kombëtarja jonë luajti dy miqësore ditët e fundit, me Spanjën dhe me Gjeorgjinë, ku paraqiti dy fytyra të ndryshme. Kuqezinjtë dhanë më të mirën në Barcelonë, pavarësisht humbjes 2-1, kurse në barazimin 0-0 ndaj Gjeorgjisë në “Air Albania, disa gjëra nuk shkuan si duhet.
Këto dy ndeshje testuese dhanë disa mesazhe, që specialisti Redi Jupi i zbërthen për Gazeta Si. Ish-lojtari i Kombëtares dhe ish-trajneri i Shqipërisë U-21 vlerëson ndeshjen e Spanjës dhe thekson se ndaj Gjeorgjisë u bë një hap pas.

“Ishin dy miqësore, të cilat kishin dy tablo të ndryshme, – thotë Jupi për Gazeta Si. – Ndeshja me Spanjën deri diku na entuziazmoi, sepse Shqipëria e interpretoi mirë lojën, duke ditur që luante me një skuadër të vështirë shumë për ta pasur kundër. Spanja është një skuadër që e mban topin shumë gjatë dhe do disiplinë dhe rigorozitet gjatë 90 minutave, që të mos pësosh keq. Ne deri diku i realizuam këto detyra dhe në momente të caktuara ishim edhe të rrezikshëm”.
Më tej analiza e ndeshjes me Gjeorgjinë: “Mendoj se kemi bërë një hap prapa. Në fakt, ky ishte kundërshtari i vërtetë për ne. Kjo ndeshje simulonte ato që ne kemi me Izraelin dhe Islandën në Ligën e Kombeve. Janë kundërshtarë të ngjashëm, ekipe të nivelit tonë, që ne duhet t’i mundim. Skuadra nuk arriti të imponohej aq sa duhej dhe siç duhej ndaj këtij kundërshtari. Bëmë një lojë të barabartë, me një diferencë të vogël në pjesën e dytë, me Cikalleshin që u tregua i rrezikshëm 2-3 herë. Për pjesën tjetër nuk është se kemi bërë shumë gjëra.
Kristjan Asllani ishte një notë pozitive e kësaj ndeshjeje, sepse dha sinjalet e një lojtari të rëndësishëm, i cili mund t’i shërbejë Shqipërisë në të ardhmen”.

Çfarë mund të bëjë Shqipëria në të ardhmen, deri ku mund të shkojë Kombëtarja me këtë ekip? Redi Jupi ka këtë mendim: “Kemi një mbrojtje shumë të mirë dhe dy portierë shumë të mirë. Kemi edhe një lojtar shumë cilësor përpara, siç është Broja. Pjesa tjetër e ekipit është mesatare, lojtarë me të cilët ne mund të shkojmë deri aty ku kemi shkuar deri tani, në vend të 3-të të 4-t në grup, asgjë më tepër.
Nëse do të arrijmë të bëjmë ndeshje të mira me lojtarë që kemi prapa dhe të vëmë në funksion Brojën, i cili është një vlerë e shtuar, lojtar që nuk e kemi pasur asnjëherë, mund të bëjmë atë që bën Polonia me Levandovskin. Ajo ka një skuadër normale po themi dhe një lojtar shumë të madh në sulm, siç është Levandovski. Të njëjtin model mund të ndjekim edhe ne, por gjithmonë duke e vënë në punë këtë lojtar, sepse pak i shërbejmë, jo se nuk duam, por kështu janë karakteristikat e skuadrës.

Për sa kohë nuk e vëmë në punë këtë lojtar, ose ai nuk është i disponueshëm, nuk mund të shkojmë më tepër se vendi i tretë, ajo që kemi bërë gjithmonë me lojtarët që kemi pasur”.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




