Që në krye të njoftimit, Prokuroria Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, sqaron se kërkesa drejtuar Kuvendit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako dhe disa urdhër-arresteve te tjera është bërë mbi bazën e kallëzimit penal të bërë nga Nisma “Thurje”, PD dhe LSI.
Por në një deklaratë të paralajmëruar për mediat, Jorida Tabaku jo më nga PD-ja por nga ambientet e kryesisë së Kuvendit tha se kjo ishte pasojë e punës që ndërmori komisioni hetimor për inceneratorët.
“Kushdo që ka qenë i interesuar për aferën e inceneratorëve, sot ka pasur një zhvillim të ri, një zhvillim i parë në drejtim të punës së komisionit hetimor, është shpresëdhënës. Nuk është e mjaftueshme. Në gjykimin tonë, sot me lëvizjet dhe ndalimet e incenerataorit të Fierit, ka pasur një hap përpara. Ky hap nuk është i mjaftueshëm.
Pas një pune 4 mujore të Komisionit Hetimor, pas 11 kallëzimeve të dorëzuara në SPAK, pas një raporti prej 120 faqësh me 112 fakte që tregojnë lidhjen në aferën prej 430 milionë eurove ku janë përfshirë, Edi Rama, Damian Gjiknuri, Arben Ahmetaj, SPAK ka reaguar duke arrestuar disa zyrtarë duke përsëritur akuzat ndaj ish-Ministrit Lefter Koka. Nuk është e mjaftueshme. Presim që SPAK të tregojë guxim dhe të reagojë ndaj njerëzve me pushtet. Presim që SPAK të tejkalojë përtej pushtetit politik dhe të bëjë detyrën për të cilin e kemi votuar.
Në njoftimin që mora nga SPAK. Janë çuar ashtu siç kemi kërkuar, janë arrestuar disa persona, Pëllum Abeshi, Florian Muçaj është zotëria që ka dëshmuar në komisionin hetimor administrator i ALb Petrolit. Arenc Myrtezani, ish-administratori i kompanisë së Fierit. Sabina Cenameri dëshmoi e para, ishte e stresuar dhe Etleva Kondi që ka qenë anëtare e komisionit të Fierit”, tha ndër të tjera Tabaku.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.