Kombetarja

Reja dhe Gjimshiti nuk e nënvlerësojnë Gjeorgjinë: Të luajmë si me Spanjën!

Gazeta Si – Shqipëria luan nesër, në orën 18:00, miqësoren me Gjeorgjinë, ku grupi vjen më i redektuar, pasi lojtarë si Bare, Balliu dhe Uzuni nuk janë të disponueshëm. Trajneri Reja dhe mbrojtësi Gjimshiti dolën në konferencë shtypi, ku folën për miqësoren e nesërme.

Trajneri italian theksoi se dëshiron që Shqipëria të paraqitet si me Spanjën dhe të marrë rezultat pozitiv. “Kemi bërë një ndeshje të mirë ndaj Spanjës, kishte entuziazëm të madh nga skuadra. Në vija të përgjithshme, më ka pëlqyer loja e skuadrës, thjesht më vjen keq që pësuam atë gol në minutën e 90-të. Duhet më shumë përqëndrim në sekondat e fundit. Një barazim do të ishte një rezultat që do të na bënte shumë mirë në aspektin moral. Na u mohuan edhe dy penallti.

Ndaj Gjeorgjisë do të doja të bënim të njëjtën paraqitje. Do ketë shumë ndryshime në mesfushë, por më duhet t’i vlerësoj të gjithë situatat. Gjeorgjia është një ekip shumë i fortë, i organizuar, teknik. Këto dy ndeshje na japin mundësi të krijojmë eksperiencë të rëndësishme, por edhe të rritemi. Dua të aktivizoj minimalisht 20 lojtarë, sepse duhet të kemi një grup kompetitiv për të arritur rezultate të rëndësishme dhe për të treguar rritjen tonë. Nuk ka pasur në asnjë moment asnjë nënvlerësim”, – tha Reja mes të tjerash.

Berat Gjimshiti, për humbjen në Spanjë dhe ndeshjen e nesërme, u shpreh: “E kishim rezultatin në dorë me Spanjën, por ka të bëjë më shumë përqëndrimi, që mos të bëhen gabimet dhe mos të pësojmë gol në fund. Një ndeshje mund të luhet edhe më shumë se 90 minuta, përqëndrimi duhet të jetë gjithmonë, sidomos me këto skuadra të forta si Spanja.

Me ndeshjen që bëmë kundër Spanjës, besoj se tifozët e kanë parë që lojtarët kanë dhënë gjithçka në fushë. Me Gjeorgjinë do jetë një ndeshje ndryshe, sepse kualiteti teknik nuk është aq i lartë sa i Spanjës, por prapë është një ekip që vrapon shumë dhe mbrohet mirë. Besoj do të kemi më shumë raste për të qenë ofensivë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë