Gjatë një vizite në një nga qendrat shëndetësore në vend, Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu shpjegoi se qarkullimi varianteve të reja të Covid-19 e bën të rëndësishme akoma më shumë vaksinimin dhe kujdesin e qytetarëve.
E shoqëruar nga shefja e shërbimit epidemiologjik në ISHP, Silva Bino, ministrja shpjegoi se varianti i ri B.A.2 është përgjegjës për një rikthim rastesh të reja të Covid-19 në Europë.
“Deri më tani nuk ka të dhëna se ky variant qarkullon në vendin tonë. Mund të jetë prezent, por nga laboratorët nuk është konfirmuar. Ne kemi dërguar mostra në laboratorët e referencës dhe për 10 ditë presim një përgjigje”,shtoi Bino.
Më tej ministrja Manastirliu shpjegoi se doza e tretë e vaksinës është shumë e rëndësishme për të krijuar imunitet.
Ndërsa Bino shpjegoi më tej se është shumë e rëndësishme që të vaksinohen edhe gratë shtatzëna sepse ato janë të rrezikuara nga format e rënda të sëmundjes dhe lindjet e parakohshme.
“Vaksinimi nuk sjell asnjë gjë të keqe”, shtoi Bino.
Më tej Manastirliu tha se pavarësisht se kemi një situatë të relaksuar të rasteve të reja, duhet të vijojë vaksinimi sepse të ardhmes nuk i dihet dhe nuk është e përcaktuar nëse do të kemi apo jo variante të reja.
“Kemi vendosur me Komitetin Teknik të Ekspertëve që të kemi një rivlerësim mbi baza periodike të procesit të vaksinimit tek të rinjtë dhe në zona të caktuara, për të pasur edhe një plan të mirëfilltë derë më derë, tashmë edhe me zona ku ka një qasje më sfiduese ndaj këtij procesi, për të rritur mbulesën vaksinale. Sepse e dimë shumë mirë që vaksinimi është një sfidë në vetvete. Nuk është një proces i lehtë që mund të bëhet thjesht me një apel publik, por duhet shkuar derë më derë. Duhet bindur çdo qytetar për rëndësinë e vaksinimit”, theksoi Manastirliu.
Deri tani në vendin tonë kanë mbërritur mbi 3.1 milion doza vaksine janë kryer 2,758,613 doza. Mbulesa vaksinale me dozë të parë për popullatën target (+16 vjeç) në Shqipëri është rreth 55%. Brenda këtij viti pritet të mbërrijnë 1 milion doza të vaksinës Pfizer si dhe do të vijojë furnizimi me vaksina edhe përmes instrumentit COVAX.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje