Gazeta Si – Armando Broja është një thesar për Kombëtaren. Ky ishte përkufizimi i Shkëlqim Muçës për sulmuesin 20-vjeçar pas ndeshjes me Spanjën. Specialisti i njohur dhe ish-lojtari i Kombëtares nuk bën lehtë komplimente dhe me sa duket, në rastin e Brojës është i bindur 100%.
Po, Broja është vërtet një thesar për Kombëtaren e Shqipërisë. Gati i vetëm ai arriti të vinte në vështirësi gjithë mbrojtjen e një ekipi të klasit botëror, siç është Spanja. Shpejtësia e tij nuk ka nevojë për komente. Falë një forme fizike shumë të mirë, sulmuesi i Çelsit depërtoi disa herë në thellësi dhe shërbeu për shokët e ekipit. Ky i dyti një element që lojtari i ri e ka fituar tashmë dhe që e kompleton profilin e tij të një sulmuesi kalibri.

Për një skuadër gjithmonë ka rëndësi grupi dhe kompaktësia e tij, sepse një nga principet bazë të lojës magjike është “mbrohet si grup dhe sulmohet si grup”. Megjithatë, janë edhe vlerat individuale të lojtarëve të caktuar që të çojnë te suksesi.
Shqipëria ka aktualisht ndoshta sulmuesin më të mirë të të gjitha kohërave dhe është detyrë e trajnerëve që t’i marrin maksimumin. Kombëtarja jonë duhet ndërtuar rreth Brojës dhe duke shfrytëzuar vlerat e tij mund të arrijë diçka të rëndësishme.
Broja bëri një ndeshje shumë të mirë ndaj Spanjës, edhe pse nuk shënoi. Elozhet për të nuk munguan as nga trajneri spanjoll Luis Enrike, ndërsa Roland Luçi, ish-sulmues i Kombëtares, e vlerësoi si më të mirin në fushë.

Por, ç’është më e rëndësishme, ndaj Spanjës e gjithë skuadra u përgjigj mirë në fushë, duke dhënë sinjale pozitive para Ligës së Kombeve. Në skemën e trajnerit Reja, ai që tërhoqi vëmendjen ishte Ivan Balliu. Lojtari i linjës së djathtë ishte perfekt gjatë gjithë ndeshjes, sidomos në ndihmë të sulmit. Me atë paraqitje Balliu e ka eklipsuar Hysajn, që u spostua në të majtë.
Balliu u duk më natyral në atë rol se lojtari i Lacios dhe më adapt për 3-5-2-shin e trajnerit italian. Është mëkat që nuk e kemi shfrytëzuar më parë këtë lojtar, që po përjeton momentin më të mirë të karrierës. Mbrojtësi i djathtë mund të konsiderohet një vlerë e shtuar te kjo Kombëtare, – ku po të shtojmë edhe Kristjan Asllanin, një yll që po lind, si dhe Nedim Bajramin që mungoi ndaj Spanjës, – mund të shpallim pa asnjë ndroje objektiva madhorë, si kualifikimi në Europian apo Botëror.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.




