Kombetarja

Test pjekurie ndaj Spanjës. Reja sot me më të mirët, Broja udhëheq sulmin kuqezi

Gazeta Si – Trajneri Reja dhe kapiteni Hysaj e kanë vlerësuar si një test shumë të rëndësishëm miqësoren me Spanjën, që luhet sot, në orën 19:45, në Barcelonë. Një test pjekurie për kuqezinjtë, të cilët duhet të tregojnë vlerat e tyre ndaj një kundërshtari kalibri.

Është një test pjekurie veçanërisht për mbrojtjen, që mund të konsiderohet një repart i konsoliduar me ‘italianët’ Gjimshiti, Kumbulla dhe Ismajli, por edhe me Hysajn, që do të spostohet në linjën e majtë të skemës 3-5-2 të trajnerit Edi Reja, kurse në të djathtë do të luajë Ivan Balliu, edhe ky një lojtar më shumë përvojë dhe titullar në La Liga me Rajo Valekanon. Në portë sot luan Strakosha.

Në mesfushë, duke ditur forcën e kundërshtarit, trajneri Reja pritet të hedhë në fushë nga minuta e parë Baren, Laçin dhe njërin mes Gjasulës dhe Asllanit, me të parin të favorizuar për shkak të eksperiencës më të madhe që ka me fanellën kuqezi. Asllani mund të debutojë me fanellën e Kombëtares A në pjesën e dytë. Nedim Bajrami, një lojtar shumë i rëndësishëm për kuqezinjtë, mungon për shkak dëmtimi.

Armando Broja, me formën që po kalon në Premier Ligë, është i padiskutueshëm në sulm. Në krah të tij pritet të jetë Sokol Cikalleshi, sulmuesi me më shumë përvojë në Kombëtare. Me këtë formacion pritet që Shqipëria të bëjë ndonjë surprizë në Spanjë. Në pjesën e dytë do të ketë minuta edhe për Uzunin, Manajn dhe të tjerë.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, 3-5-2
Strakosha
Ismajli Gjimshiti Kumbulla
Balliu Gjasula Bare Laçi Hysaj
Broja Cikalleshi


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë